Futboll

Ndryshon Europiani 2021, mund të luhet në një vend të vetëm

Verën e kaluar duhej të ishte luajtur Europiani 2020, por situata e pandemisë së Koronavirusit e bëri të pamundur zhvillimin e këtij kompeticioni. Europiani u shty për në vitin 2021, i parashikuar për t’u shpërndarë në 12 vende të ndryshme, një formulë kjo e aplikuar për herë të parë. Sipas Karl-Heinz Rummenigge, plani për ta zhvilluar këtë turne në 12 shtete të ndryshme, po bëhet gati të anulohet nga UEFA, e cila në mars do të votojë për zhvillimin e tij në një vend të vetëm.

“Nuk duhet të harrojmë se ideja e këtij aktiviteti të veçantë erdhi në një periudhë kur koronavirusi nuk ekzistonte. Në atë kohë ishte një iniciativë e Bashkimit Europian i cili dëshironte të kishte futbollin në të gjithë kontinentin. Por unë e di që presidenti Alexander Ceferin, i cili është jashtëzakonisht i kujdesshëm ndaj koronavirusit, po mendon nëse do të kishte më shumë kuptim që të luhej turneu në një vend të vetëm”, tha Rummenigge.

Ndeshjet e Europianit janë programuar të luhen në Romë, Kopenaghen, Bukuresht, Amsterdam, Dublin, Bilbao, Budapest, Gllasgou, Baku, Mynih, Londër dhe Shën Petërburg. Por, sipas mediave të ndryshme ndërkombëtare, UEFA nuk ka ndër mend që të anulojë turneun, edhe nëse do të jetë e detyruar që ta zhvillojë pa tifozë, pasi përndryshe do të pësonte humbje kolosale financiare.

Por zhvillimi në një vend të vetëm, me Anglinë në vendin e parë mes preferencave, është një prej hipotezave më të mundshme në këtë moment ku në të gjithë kontinentin mbizotëron pasiguria për shkak të pandemisë.

Edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, në një intervistë të fundit për “Movistar”, ka pohuar se Europiani 2021 nuk është në rrezik, por me shumë mundësi do të kenë ndryshime në formulën e zhvillimit të tij.

“Jemi të sigurt se Europiani do të zhvillohet vitin e ardhshëm, por ndryshimi është se ndoshta ndeshjet do të luhen të një vend të vetëm”, – ka thënë drejtuesi kryesor i institucionit që drejton futbollin europian. Do të ishte një ndryshim i madh, pasi ky kompeticion është parashikuar në disa qytete të mëdha të vendeve të ndryshme në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë