Futboll

Lojtari me katër kombësi, Selahi: Pse e zgjodha Shqipërinë

Lindon Selahi ka lindur në Belgjikë dhe është formuar si futbollist në akademitë më të mira belge. Ai e ka nisur karrierën te Standard Liege për të vazhduar më pas rrugëtimin e tij te Anderlehti e për t’u huazuar te klubi holandez i Willem, i huazuar nga Twente. Pasi u aktivizua edhe me ekipet kombëtar të moshave të Belgjikës (U-14, U-15 dhe U-16) mesfushori i talentuar zgjodhi përfundimisht të përfaqësojë Shqipërinë.

Në vitin 2018, Selahi u grumbullua me ekipin kombëtar U-21 të Shqipërisë dhe spikati menjëherë me aftësitë e tij në fushën e lojës. Thuajse një vit pas debutimit me fanellën kuqezi ai u ftua në kombëtaren A e që prej atij momenti ka qenë pjesë e vazhdueshme e grumbullimeve. Selahi është pjesë e një brezi të artë të talenteve shqiptare dhe projektohet si një nga elementët më të rëndësishëm të mesfushës kuqezi.

Në një intervistë të dhënë së fundmi në Holandë, mesfushori është shprehur se kishte mundësi të zgjidhte 1 nga 4 kombëtaret, mes Belgjikës, Maqedonisë së Veriut , Kosovës dhe Shqipërisë.

‘’ Kisha mundësi  të zgjidhja midis mes Belgjikës, Maqedonisë së Veriut , Kosovës dhe Shqipërisë, por zemra ime zgjodhi flamurin tim. Ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë, isha shumë më i lumtur për familjen time sesa për veten. Te Kombëtarja unë e konsideroj veten si pjesë të ekipit të parë. Trajneri Reja ka besim tek unë dhe ai e tregoi këtë në ndeshjet e fundit. U integrova shpejt në ekip dhe mendoj se kemi një atmosferë shumë të mirë.

Ky është rezultat i kohërave të trazuara që kanë kaluar gjyshërit e mi. Rreth gjashtëdhjetë vjet më parë ata filluan endjen nëpër Evropë për të ikur nga lufta. Pas disa vitesh në Turqi dhe gjysmë viti në Gjermani, familja u vendos në Namur të Belgjikës.  

Shqipëria ka një ekip me lojtarë nga Atalanta dhe Napoli. Luajtëm gjithashtu në Europianin e Francës, një arritje e madhe kjo. Standard Liezhi? Të gjithë në brezin tim u larguan nga skuadra, pasi nuk iu ofruan kontratë, ndërsa unë firmosa një kontratë me ekipin e parë. Unë jap gjithmonë gjithçka, kurrë nuk heq dorë, ndjek topin në mënyrë agresive, mund të shënoj dhe të jap asiste. Fizikisht jam shumë mirë”, tha Selahi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë