Në orën 18:00, luhet sot derbi i kryeqytetit, ku këtë herë, duke qenë se në Air Albania po zhvillohet proçesi i vaksinimit për COVID-19, takimi do të zhvillohet në stadiumin e Elbasanit, Edhe kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve për shkak të pandemisë. Ndërkohë, të dyja ekipet vijnë pas fitoreve dhe atmosfera është pozitive në të dyja kampet, duke qenë se janë të motivuar për të vazhduar pjesën e mbetur të sezonit sa më mirë edhe pas ndërhyrjeve në merkato. Asnjëra nuk do të pajtohet me barazimin, të dyja duan fitoren, kjo edhe për arsyen se nëse sfida mbyllet pa fitues, atëherë Vllaznia në krye do të rriste diferencën në 11 pikë me Partizanin dhe 14 me Tiranën.
“Unë do të thoja që është ndeshja e radhës, ka vlerën e 3 pikëve, përveç bonusit psikologjik. Derbi është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit. Sido që të jetë niveli ekipeve, derbet kanë qenë të paparashikueshme. Ky derb i gjen ekipet me një diferencë 3 pikë. Pothuajse janë aty-aty. Mendojmë në nivel paragjykimi, që nesër, padiskutim që ekipi do të jetë i motivuar, ashtu siç do të jetë dhe kundërshtari. Janë të 3 rezultatet në lojë, shpresojmë që fitorja të jetë e jona”, tha trajneri i Partizanit Daja.
Trajneri i Tiranës Nevil Dede është i rezervuar në deklarata. Nuk preferoi të komentojë rezultatin dhe më shumë i mëshon ndjesisë që kërkon të marrë nga kjo ndeshje.
“Ndjesia ime është që unë dua ta shijoj këtë ndeshje. Edhe unë kështu shkoj te ky derbi bashkë me çunat dhe klubin që na mbështet. Nuk ia vlen që unë të komentoj rezultatin. Duam ta shijojmë derbin dhe ta fitojmë atë. Ky është kampionat, ka antagonizëm brenda dhe çdo gjë mund të ndodhë”, tha Dede.
Si do të rreshtohen sot skuadrat në fushë? Trajnerët Nevil Dede dhe Ilir Daja e kanë në kokë formacionin, me të cilin do të synojnë ta fitojnë derbin, por ka edhe dilema për ndonjë lojtar të caktuar që vjen nga dëmtimi dhe nuk është në 100% të formës fizike.
Te Tirana Dede nuk dha asnjë indicie në lidhje me formacionin, por me një sistem tashmë të kristalizuar, 3-4-1-2, Agustin Torasa do të duhet të ketë një rol të rëndësishëm si në furnizimin e dyshes sulmuese ashtu edhe në ndihmën për pjesën e mesfushës. Në portë do të jetë Bekaj, i cili para tij do të ketë dyshen Hoxhallari-Najdovski. Në krahë janë Ismajlgeci dhe Toshevski. Ndërkohë edhe në këtë ndeshje mesfusha pritet të jetë me katër, teksa Batha, Toli, Torassa dhe Halili janë lojtarët më të avantazhuar për të startuar sonte në mbrëmje. Në sulm pritet të aktivizohet nga minuta e parë Seferi, që do të shoqërohet nga Muçi në repartin ofensiv.
Të kuqtë pritet të luajnë me formacionin 4-3-3. Në portë si gjithmonë Hoxha, kurse mbrojtja është e konsoliduar tashmë me Belicën, Bitrin, Idrizajn dhe Hakajn. Murataj ka fituar besimin e Dajës në mesfushë. Në sulm të Partizanit do të jenë Asani, Solomon dhe Melo. Për Çinarin trajneri tha se do aktivizohet si zëvendësues gjatë ndeshjes.
Formacionet e mundshme:
TIRANA (4-4-2): Bekaj; Hoxhallari, Najdovski, Toshevski, Ismajlgeci; Kuka, Toli, Batha, Torassa; Muçi, Seferi. Trajner: Nevil Dede.
PARTIZANI (4-3-3): Hoxha; Idrizaj, Belica, Bitri, Hakaj; Murataj, Broja, Mala; Melo, Solomon, Asani. Trajner: Ilir Daja.
Partizani dhe Tirana vijnë në këtë ndeshje pas dy barazimeve në dy përballjet e fundit. Të kuqtë humbën 5-1 rezultat që nuk do të shlyhet lehtë nga kujtesa e atyre që ishin të pranishëm në stadium.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.