Futboll

Presidenti Meta nderon Shkëlqim Muçën me titullin “Mjeshtër i Madh”

Ishte radha e Shkëlqim Muçës për t’u nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ish-futbollisti i shquar i Tiranës dhe Kombëtares, si dhe trajneri i disa skuadrave në futbollin shqiptar, ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”. Prej kohësh Presidenti Ilir Meta po jep dekorata dhe tituj të ndryshëm për figurat e spikatura të sportit ndër vite.

Pas dekorimit të Muçës, Meta ka bërë një postim në faqen e tij në Facebook, ku mes të tjerash shkruan: “Për tifozët bardheblu dhe ata kuqezi, por jo vetëm, Shkëlqim Muça është padyshim një nga legjendat e futbollit tonë. Ai hyri me meritë në historinë e sportit shqiptar, si truri, dirigjenti dhe protagonisti i arritjeve të “17 Nëntorit” dhe ekipeve Kombëtare, duke nisur me suksesin e Shpresave në 1981-shin, si kampion i Ballkanit, për të vijuar me disa tituj kampion dhe kupa me ‘Tironën vija-vija’.

Muça (i dyti ulur nga e majta), kur luante me 17 Nëntorin. Gazeta Si, 20 janar 2021

Jashtëzakonisht i talentuar dhe virtuoz me topin, asistues brilant, i dalluar për fantazinë në fushë, sulmues befasues dhe rezultativ, Shkëlqim Muça u kthye në burim frymëzimi për gjeneratat e reja. Sportdashësit e mbajnë mend shumë mire, kur bashkohej me Mingën dhe Kolën, treshja e papërballueshme, që shënoi rreth 400 gola, nga të cilat 87 vetë Muça.

Pa harruar kontributin e tij të vyer në fitoren 2-0 me Belgjikën, ku padyshim ai mbajti një peshë të madhe. Në vlerësim të talentit, kontributit dhe rezultateve të larta si futbollist e si trajner, duke nderuar fanellën bardheblu dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë, kisha kënaqësinë e veçantë të nderoj Shkëlqim Muçën me titullin ‘Mjeshtër i Madh’.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë