Futboll

Inter pikas zëvendësuesin e Brozovic, një njohje të vjetër të Serie A

Antonio Conte provoi Christian Eriksen si regjist kundër Fiorentinës, një eksperiment që siç duket nuk e ka bindur plotësisht, duke pasur parasysh që zikaltrit po kërkojnë një zëvendës-Brozovic. Një zgjidhje me kosto të ulët e identifikuar në një njohje të vjetër të Serie A, Lucas Torreira. Ish-lojtari i Sampdorias, i huazuar te Atletico por në pronësi të Arsenal, do të mbërrijë në Milano me të njëjtën formulë.

Sipas asaj që bën të ditur ‘La Stampa’, “në gjurmët e tij ishin edhe Lazio e Fiorentina. Tani në listë është shtuar edhe Valencia, por Inter po lëviz me vendosmëri në një përpjekje për të rrëmbyer një huazim të Torreiras, si një alternativë për Marcelo Brozovic në rolin e dirigjentit të orkestrës zikaltër”.

Operacioni mund të lehtësohet nga fakti se 24-vjeçari uruguaian pa dyshim që shpresonte për konsideratë më të madhe tek Atletico Madrid, ku ai zbarkoi në tetor në huazim nga Arsenali me të drejtën e blerjes: vetëm 7 ndeshje dhe një gol është kontributi i tij modest. Për Conte, nëse operacioni mbyllet me sukses, do të përforcohet me një lojtar që është gati dhe që e njeh kampionatin italian, ku ka veshur fanellat e Pescara dhe Sampdoria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë