Mario Manxhukiç është zyrtarisht një lojtar i Milanit. Sulmuesi kroat ka shkuar sot në selinë e klubit kuqezi, ku ka firmosur kontratën dhe më pas ka ardhur zyrtarizimi.
Akordi mes palëve është për 6 muaj dhe 1.8 milionë euro neto, me opsionin e rinovimit automatik edhe për një vit, nëse Milani shkon në Ligën e Kampionëve. Manxhukiç, do të jetë zëvendësuesi i Ibrahimoviçit dhe do të mbajë fanellën me numër 9, një fanellë shumë e rëndë që prej vitesh nuk po gjen lojtarin adapt. Shumë nga ata që e kanë mbajtur pas Pipo Inzagit, kanë dështuar.
Manxhukiç, që në maj mbush 35 vjeç, nuk luan që në verë, kur prishi kontratën me Al-Duhail, skuadrën që zgjodhi pas largimit nga Juventusi në dhjetor të 2019-ës. Ai ka bërë stërvitje individuale, por sigurisht që duhet pak kohë që të kapë formën. Ndoshta mund të jetë gati për derbin me Interin në Kupën e Italisë të martën e ardhshme. Përveç Juventusit, Manxhukiç ka luajtur edhe me Volfsburgun, Bajernin e Mynihut dhe Atletiko Madrid.
Milani ndërkohë vazhdon të kërkojë një mbrojtës dhe me shumë mundësi ai do të jetë Tomori i Çelsit, pasi klubi londinez është dakord për huazimin e tij te keqezinjtë për disa muaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.