Futboll

Raporti i FIFA-s/ Covid-i kushtëzoi merkaton e 2020-ës, por ka boom te femrat

Ka ardhur momenti i raportit tradicional të FIFA-s në lidhje me transferimet e futbollistëve profesionistë dhe futbollisteve profesioniste për vitin 2020. Risia në këtë raport është përfshirja e lëvizjeve edhe për futbollistët diletantë.

E dhëna e parë është se volumi i transferimeve të futbollistëve ka rënë. Në nivel ndërkombëtar janë kryer 17.077 lëvizje, që do të thotë një rënie me 5,4% në raport me 2019-ën. Kjo rënie sigurisht ka lidhje të drejpërdrejtë me shpërthimin e pandemisë së Covid-19. Në ato 17.077 transferime përfshihen një numër rekord klubesh, 4.178, që bëjnë pjesë në 187 federata. Lojtarët që kanë lëvizur përfaqësojnë 180 vende të ndryshme.

Ka një rritje ndërkohë në futbollin e femrave. Klubet e përfshira në transferimet e futbollisteve në 2020-ën kanë shkuar nga 276 në 349, me një rritje të ndjeshme prej 26,4%. Kjo reflektohet edhe në numrin e lojtareve që janë bërë profesioniste në gjithë botën. Në 2020-ën janë regjistruar 1.035 transferime ndërkombëtare, me një rritje 23,7% në krahasim me një vit më parë.

Në raportin vjetor të FIFA-s për herë të parë janë regjistruar edhe futbollistët diletantë, ku numrat janë impresionues. Janë 10.465 klube nga 196 federata që përfshihen në transferimin e 17.632 lojtarëve (246 lojtarë kanë lëvizur më shumë se një herë). Për lojtarët profesionistë, raporti ofron të gjitha të dhënat, edhe kohëzgjatjen e kontratës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë