Futboll

Video/ Ibrahimoviç merr Milanin për dore, kuqezinjtë shpallen “kampionë dimri”

Milani, edhe pse në emergjencë për shkak të mungesave të shumta, ka fituar 0-2 në fushën e Kaljarit, në ndeshjen mbyllëse të javës së 18-të të Serisë A, duke u shpallur kështu “kampion dimri” një javë para. Një sukses në shenjën e Zllatan Ibrahimoviçit, i cili është kthyer titullar pas dy muajsh.

https://streamable.com/gz0yq5
Goli me penallti i Ibrahimoviç. Gazeta Si, 18 janar 2021

Sulmuesi veteran ka firmosur dygolëshin e pestë sezonal. Ai zhbllokoi shifrat pas 7 minutash me një penallti të fituar vetë. Golin e dytë Ibrahimoviç e shënoi në minutën e 52-të, duke i dhënë siguri skuadrës së Piolit, edhe pse situata u komplikua kur Saelemakers, i aktivizuar si zëvendësues, u ndëshkua me karton të kuq pas 8 minutash në fushë. Gjithsesi, Milani, e ruajti rezultatin dhe tashmë është 43 pikë, 3 pikë para Interit. Për Kaljarin ishte humbja e pestë radhazi.

https://streamable.com/t7zsls
Goli i dytë i Ibrahimoviç. Gazeta Si, 18 janar 2021

Trajneri Pioli, pavarësisht fitores, është i shqetësuar, sepse për ndeshjen me Atalantën i shtohen mungesat, ku veçohet ajo e kapitenit Romanjoli. Kuqezinjtë janë në ankth për gjendjen e mbrojtësit Kjaer, që pësoi një dëmtim, ndërkohë që shpresojnë të rikuperojnë ndonjë nga lojtarët e shumtë të dëmtuar apo të prekur nga Covid-19. I sigurt është rikthimi i Leaos. Përveç Ibrahimoviçit, që ishte njeriu i ndeshjes, një paraqitje shumë të mirë ka bërë Kalabria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë