Pasi ka përjetuar një nga netët më emocionuese në historinë e tij, Interi po përgatitet për një revolucion për sa i përket imazhit. Në muajt e ardhshëm, raportohet se pronarët e Interit do të ndryshojnë emërtimin dhe logon e klubit. Ndryshimet do të publikohen për herë të parë në muajin mars. Në emërtimin ndërkombëtar, Interi nuk do të thirret më “Internazionale”, por “Inter Milano”. Sipas informacioneve të fundit, raportohet se ideja e logos do të huazohet nga simboli i Juventusit duke vendosur shkronjat I dhe M.
Stema, e krijuar në 1908 nga ilustruesi Giorgio Muggiani, është modifikuar gjatë dekadave, por asnjëherë nuk është ndryshuar plotësisht. Tani, megjithatë, siç raportohet nga Gazzetta dello Sport, ajo do të pësojë një ndryshim të rëndësishëm : “F” dhe “C” do të zhduken, në përputhje me emrin e ri, dhe do të vizatohen rreth shkronjave “I” dhe “M”, duke përshkruar në detaje Milanon moderne , atë të qiellgërvishtësve të Porta Nuova dhe City Life.
Prezantimi, në fakt, pritet të bëhet në muajt e ardhshëm, afër përvjetorit të klubit (9 Mars). Me lamtumirën e Pirelli, si sponsor të planifikuar për në 2021/22, Inter do të paraqitet në fillim të sezonit të ardhshëm me një pamje krejtësisht të re. Vendimi për të ndryshuar emërtimin dhe stemën ka ndarë tifozët zikaltër në dy kampe. Natyrisht, pjesa tradicionale e fansave interistë e konsiderojnë si “shkatërrim të historisë dhe identitetit” transformimin e logos dhe emërtimit të klubit zikaltër. Sipas tyre, është e papranueshme që Interi të mos quhet më “Internazionale”, pasi nuk është një klub lokalist që përfaqëson vetëm Milanon. Në krahun tjetër, është një grup i moderuar që beson se një ndryshim i tillë do ta kthente Interin në një markë globale duke i dhënë rëndësi aspektit ekonomik dhe sidomos situatës së vështirë financiare në të cilën ndodhet klubi italian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




