Futboll

Video/ Derbi i gjithi për Lacion, asnjë shqiptar në fushë

Derbi i kryeqytetit të Italisë është i gjithi për Lacion. Dominim total dhe fitore bindëse e lacialëve, 3-0. Një fitore që e ka shijuar në maksimum Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ndërsa në fushën e blertë nuk ka pasur asnjë gjurmë shqiptare (përveç Muriqit pak minuta në fund). Kumbulla qëndroi në stol dhe nuk luajti asnjë minutë, ndërsa Strakosha nuk ishte i grumbulluar për këtë ndeshje dhe vendin e tij në stolin e rezervave e zuri Marko Alia.

Çiro Imobile dhe Luis Alberto kanë shkatërruar Romën, që la shumë për të dëshiruar në mbrojtje, sidomos gjatë pjesës së parë. Dy gafa të Ibanjez kanë sjellë dy golat e parë të Lacios. Në minutën e 14-të, Laxari përfiton nga përgjumja e mbrojtësit të Romës dhe pason për Imobilen, që mposht Pau Lopezin. Në të 23-ën sërish Laxari “djeg” Ibanjezin dhe shërben për Luis Alberton, që dyfishon.

Përmbledhja e ndeshjes. Gazeta Si, 15 janar 2021

Në pjesën e dytë Luis Alberto realizon me një gjuajtje të bukur nga jashtë zonës edhe golin e tretë. Me këtë fitore, Lacio i afrohet zonës Champions, me 31 pikë. Roma mbetet për momentin në vend të tretë, me 34 pikë, por kjo humbje tregoi se do ta ketë shumë të vështirë të qëndrojë në këto pozita. Derbi ishte ndeshja hapëse e javës së 18-të të Serisë A.

Duke u rikthyer te futbollistët shqiptarë të dy skuadrave, ndoshta te Roma mund të reflektojnë për Kumbullën, i cili meriton më shumë minuta aktivizim. Në krahun tjetër, mungesa e Strakoshës, prej disa ditësh një çështje te Lacion, nuk është ndjerë aspak. Veterani Reina ka treguar një formë shumë të mirë, duke i mohuar Xhekos edhe golin e nderit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë