Sport

Kush përdor kokainë dënohet 3 muaj, kodi i ri WADA-s ngre polemika

Kodi i ri antidoping, i azhornuar nga WADA (agjencia ndërkombëtare antidoping), ka ngritur shumë diskutime. Mes risive në këtë kod është edhe reduktimi i masave ndëshkuese për të ashtuquajturat “substances of abuse” (substanca abuzuese), ku futen edhe drogat e ndryshme, marijuana dhe kokaina.

Sipas WADA-s, sanksionet për përdorimin e këtyre substancave do të jenë 3 muaj, kur një sportist vërteton se përdorimi ka ndodhur jashtë kompeticioneve dhe jo për qëllim të paraqitjes sportive. Sportistëve që do t’u nënshtrohen programeve të rehabilitimit, mund t’u ulet dënimi deri në një muaj.

Arsyetimi në lidhje me reduktimin e dënimit lidhet me faktin se bëhet fjalë për substanca të përdorura shpesh në shoqëri, jashtë kontekstit të sportit. Kështu, skualifikimet do të jenë më fleksibël.

Selia e WADA-s. Gazeta Si, 15 janar 2021

Përkufizimi i periudhës “në kompeticion” ka ndryshuar. Tani tregon periudhën që nis nga ora 23:59 e ditës para garës, deri në fund të garës dhe procesi i marrjes së kampionit lidhet me këtë fashë. Nëse një sportist del pozitiv me kokainë, heroinë apo substanca të tjera të kësaj familjeje pas fshës së orarit të përmendur me lart, skualifikimi kalon nga 2-4 vjet në 1-3 muaj.

Disa shembuj. Diego Maradona u skualifikua 18 muaj, pasi doli pozitiv me kokainë pas ndeshjes Napoli-Bari në vitin 1991, apo Klaudio Kanixha që u dënua 13 muaj në 1993-shin. Në 1999-ën, Javier Sotomajor, rekordmeni i kërcimit së larti, u dënua 1 vit. Tani, me kodin e ri, do të ketë më shumë sportistë që do të përdorin kokainë? Polemikat janë të mëdha që tani, pak ditë para hyrjes në fuqi të kodit.

WADA është mbrojtur, duke e argumentuar vendimin me faktin se është arritur në konkluzionin se shpesh përdorimi i drogave nuk është bërë për të përmirësuar paraqitjen sportive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë