Kampionati PGA i golfit për vitin 2022 nuk do të luhet në një prej fushave në pronësi të Donald Trump. Vendimi u mor nga Këshilli Drejtues i Shoqatës Profesioniste të Golfit në Amerikë, pas ngjarjeve të fundit në Capitol. Njoftimi u dha nga presidenti i PGA, Jim Richerson, i cili saktësoi se bordi ushtroi të drejtën e tij “për t’i dhënë fund marrëveshjes” me fushën Trump National në Bedminster, në shtetin e Nju-Xhersit.
“Jemi në një situatë politike, të cilën nuk e kemi nisur ne. Pas ngjarjeve tragjike të së mërkurës së kaluar Capitol, nëse do të luanim në Bedminster do ta kishim të pamundur të ruanim marrëdhënien e besimit me anëtarët, sportin e golfit dhe markën tonë”, tha Richerson, sipas të cilit “dëmi do të ishte i pariparueshëm dhe largimi ishte zgjidhja e vetme”.

Shoqata Profesioniste e Golfit në Amerikë ishte nën presion nga i gjithë opinioni, i cili i kërkonte distancimin nga çdo lloj forme e dhunës dhe nga personat që i kishin nxitur ngjarjet e dënueshme, me në krye ish-presidentin Donald Trump. Pas vendimit të PGA-së, çështja pritet të përfundojë në gjykatë.
Grupi Trump reagoi menjëherë me një deklaratë për shtyp, duke shprehur “habi dhe zhgënjim” për vendimin e anulimit të kampionatit, duke theksuar se vendimi i marrë nga Shoqata e Golfit Profesionist është një shkelje flagrante e kontratës, pasi në fushën e Bedminster janë investuar miliona dollarë për kampionatin 2022 të golfit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




