Nuk pati fitues në sfidën mes Romës e Inter, që përfundoi me një 2-2, ku askush nuk mbeti i kënaqur. Verdhekuqtë zhbllokuan rezultatin në të 17′ me një goditje tokazi të Pellegrinit, por fillimi impresionues i pjesës së dytë nga zikaltrit përmbysi situatën falë golave të Skriniar (56′) e Hakimi (63′). Tre minuta nga e 90′ një goditje me kokë e Mancinit fiksoi përfundimisht rezultatin në barazim. Fonseca dështon të arrijë vendin e dytë, Conte zbret në – 3 nga kreu, që mbahet nga Milan.
Fitore në transferta për Lazion dhe Napolin, teksa feston edhe Hellas Verona, që mposhti 2-1 në shtëpi Crotonen. Kalinic dhe Dimarco shënuan në pjesën e parë, teksa miqve nuk u shërbeu goli i Messias në pjesën e dytë. Bardhekaltrit triumfuan 0-2 në fushën e Parmës, duke arritur suksesin e dytë radhazi në kampionat.
Tre pikë siguroi edhe Napoli pas suksesit 1-2 në fushën e Udineses. Lorenzo Insigne zhbllokoi ndeshjen pas çerek ore lojë. Kapiteni ktheu në gol një penallti, por avantazhi i ekipit të Gattusos zgjati vetëm 12 minuta. Gafë e pafalshme e Amir Rrahmani në debutimin e tij në Serinë A si titullar me Napolin, i cili pasoi gabimisht prapa topin për tek portieri Meret por Lasagna i zgjuar kuptoi idenë dhe realizoi golin e barazimit 1-1. Disa gabime të vazhdueshme më pas nga kapiteni i Kosovës detyruan Gattuson ta zëvendësonte në pjesën e dytë. Ndeshja po shkonte drejt barazimit, por Tiemoue Bakayoko gjeti rrjetën në minutën e fundit dhe i dhuroi tre pikë tepër të rëndësishme Napolit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




