Treg

Rivlerësimi i Pasurive të Paluajtshme, shtyhet deri më 31 dhjetor 2021. Efekti në buxhet 6 mld lekë

Pasi që Presidenti e Dekretoi, ligji për shtyrjen edhe një herë të rivlerësimit të Pasurive të Paluajtshme është botuar në fletoren zyrtare dhe u jep mundësi shqiptarëve të kryejnë procesin me afat deri më 31 dhjetor 2021.

Më herët, afati i fundit ishte 30 shtatori i 2020-ës, por pandemia e bllokoi edhe këtë proces si shumë të tjerë duke bërë që numri i qytetarëve që aplikuan për të rivlerësuar pasuritë e tyre të paluajtshme me lehtësi fiskale të ishte shumë i ulët. Prandaj u vendos një tjetër shtyrje deri në 31 dhjetor 2020.

 Sipas të dhënave zyrtare, Nga periudha 17 janar 2020, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji deri në ditën kur u shpall pandemia globale dhe masat u morën edhe në vend, numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është 15 mijë e 71. Kurse, për periudhën 18 mars – 22 maj numri i aplikimeve është 4 mijë e 835. Ndryshimi i zakoneve të punës për shkak të pandemisë ka ulur 68 % numrin e rivlerësimeve të pasurive të paluajtshme. Prandaj qeveria vendsoi të bëjë shtyrjen e radhës deri në fund të vitit 2021.

Të gjithë personat që kanë në pronësi një tokë ose ndërtesë të regjistruar ose fitojnë pronësinë,  mund ta rivlerësojnë atë sipas ligjit me tatimin 3%.

Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.

Ministria e Financave thotë se janë rreth 50 mijë pasuri që do të përfitonin nga ky proces, dhe efekti i procesit në buxhet pritet të jetë afërsisht 6 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë