Treg

Shpresë për mosndërprerjen e dritave në banesa e biznese: ERE i çel rrugën instalimit të burimeve dytësore të energjisë

Me rregulloren e fundit të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë ka një shpresë që do t’i vijë fundi ndërprerjeve të energjisë elektrike në banesa dhe biznese.

ERE ka miratuar rregulloren që përcakton procedurat dhe kushtet teknike për instalimin e një burimi dytësor të furnizimit me energji elektrike, në rastet kur ndërpritet furnizimi kryesor nga rrjeti.

Sipas dokumentit, çdo klient që dëshiron të instalojë një burim dytësor duhet të njoftojë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të paktën 30 ditë përpara lidhur me synimin e tij për këtë instalim. Po ashtu duhet të dorëzohen një sërë dokumentesh që lidhen me përshkrimin e detajuar të burimit dytësor, përshkrimin e sistemeve të kontrollit , skemat elektrike të instlimit dhe lidhjes, etj.

OSSH-ja është ajo që miraton kërkesën e paraqitur brenda 7 ditëve nga paraqitja e këtij dokumentacioni.

Menjëherë pas përfundimit të instalimit të burimit dytësor, klienti duhet të njoftojë me shkrim OSSH-në, ndërkohë që lidhja me rrjetin e shpërndarjes do të mund të bëhet vetëm pas përfundimit të testimeve dhe nëse nga ana e OSSH-së nuk ka asnjë vërejtje. Sipas vendimit të ERE, brenda datës 30 prill 2021 OSSH duhet të bëjë vlerësimet përkatëse për kostot lidhur me instalimin e burimeve dytësore, si dhe t’i paraqesë ato pranë këtij institucioni për shqyrtim.

Procesi për miratimin e kësaj rregulloreje nisi që në muajin nëntor të vitit 2019, por kaloi në një proces konusltimi me të gjitha palët e interesuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë