Kosova dhe Shqipëria nuk janë vendet e vetme në të cilat qe duan krijimin e një lige të përbashkët të futbollit. Një aktivitet që dy federatat e kanë cilësuar shpesh si të pamundur për sa kohë që ekziston pengesa e ndërkombëtarëve. Por presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, në një intervistë të dhënë së fundmi, është pyetur për bashkimet e ligave rajonale, dhe me sa duket as ai dhe as organizata që drejton nuk janë kundër. Por, thekson se duhet të shqyrtohen me kujdes këto ide në mënyrë që të merren vendime të mira dhe në interes të futbollit dhe të mos gabohet në hapa.
“Në UEFA në po mendojmë për kampionatet rajonale, po flasim me drejtuesit e federatave, por nuk besoj se në një kohë të shkurtër do të mund të ndërtojmë një ligë rajonale në ish-Jugosllavi. Situata politike është shumë e komplikuar, lufta është ende në mendjen e njerëzve. Nëse do të bëhen liga rajonale, do të ishte realiste të futej Sllovenia, Kroacia dhe disa vende në një grup dhe Serbia e vende të tjera në tjetrin. Gjithsesi, gjithnjë e më shumë shtete po interesohen për mundësinë e ligave rajonale, që do të rritnin vlerën e klubeve, ashtu si edhe të ardhurat nga sponsorët dhe e drejta televizive.
Në përgjithësi UEFA nuk ka asnjë gjë kundër ligave rajonale, por problemi është se si ligat në fjalë do të zgjidhnin pjesëmarrjen në aktivitetet europiane. Ky është problemi që duhet të zgjidhë UEFA. Dhe meqë ra fjala, ne nuk dëshirojmë që të krijojmë liga rajonale që të shkatërrojmë kampionatet kombëtare. Organizimi i ligave rajonale është një sipërmarrje serioze dhe asgjë nuk është vendosur, por po shqyrtohet me seriozitet”, pranoi Čeferin.
Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur për të zhvilluar një kupë të përbashkët, me emrin “Nënë Tereza’’. Në këtë kupë do të marrin pjesë ekipet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Pare dhe Kategorisë së Dyte nga të dyja vendet. Në edicionin e parë pritet të marrin pjesë 56 ekipe nga Shqipëria, ndërsa nga Kosova 44 ekipe. Struktura e këtij kompeticioni pritet të jetë e tillë, ku 22 ekipet e Kategorive Superiore nga të dyja vendet do të kalojnë direkt në fazën 1/32, ndërsa ekipet e mbetura do të luajnë mes tyre me sistem vajtje-ardhje, duke nxjerrë në fund 10 ekipet që do t’u bashkohen skuadrave të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




