Bota

Kongresi certifikon fitoren e Joe Biden. Dorëzohet Trump: Do të siguroj tranzicion të qetë

Pas një ditë të pashembullt protestash të dhunshme, Kongresi amerikan ka konfirmuar zyrtarisht fitoren e Joe Biden. Zëvendëspresidenti Mike Pence dha njoftimin, së bashku me demokraten Nancy Pelosi.

Certifikimi i presidentit të 46-të të Shtetëve të Bashkuara erdhi pak pasi Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshte kundërshtimin e votave të kolegjit elektoral të Pensilvanisë. Dhoma dhe Senati vazhduan më pas të numëronin votat e mbetura të Kolegjit Zgjedhor të nevojshme për të certifikuar Joe Biden si presidentin e ardhshëm të Amerikës.

Sesioni procedural i Kongresit u ndërpre të mërkurën kur mbështetësit e Presidentit Trump sulmuan ndërtesën e Kapitol Hill. Seanca rinisi dhe vazhdoi gjatë gjithë natës pasi u ndërtesa u sigurua nga Shërbimi Sekret. Pas skenave kaotike në Uashington DC presidenti amerikan Donald Trump duket se është dorëzuar, duke pranuar pas dy muajsh fitoren e Joe Biden. “Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve, do të ketë një tranzicion të rregullt të pushtetit në 20 Janar” tha Trump në një deklaratë.

Përkrahësit e armatosur të Presidentit Donald Trump tronditën të mërkurën Shtetet e Bashkuat të Amerikës, pasi sulmuan zemrën e demokracisë amerikane, Capitol Hill dhe duke detyruar si kurrë më parë senatorët dhe kongresmenët të linin ndërtesën me maska anti-gaz për t’i shpëtuar tërbimit të tyre.

Brenda pak minutash, karriget e Kongresit ku po diskutohej certifikimi i Joe Biden si presidenti i 46 i SHBA-ve u mbushën nga protestues që bënin thirrje për qëndrimin e Trump në detyrë. Një grua u qëllua për vdekje nga policia dhe tre të tjerë vdiqën gjatë përplasjeve me oficerët. Një sërë zyrtarësh demokratë dhe policorë e kanë cilësuar sulmin e Kapitol Hill si asgjë tjetër veçse një përpjekje për marrjen me dhunë të pushtetit.

Edhe pse Kongresi u mblodh përsëri pas dhunës dhe ka certifikuar fitoren e Joe Biden, kjo ngjarje do të lërë gjurmë të thella në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht skenave të dhunshme, presidenti Donald Trump duket të ketë ende një grup të vogël aleatësh që kundërshtuan në Kongres certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale. Ata kërkuan shpalljen të pavlefshme të numërimeve në Xhorxhia, Nevada, Michigan, Arizona dhe Pensilvania, por si Senati ashtu edhe Kongresi, të kontrolluara të dyja nga demokratët, e hodhën poshtë.

Si demokratët edhe republikanët dënuan dhunën në Kongres, por ndërkohë që demokratët fajësuan presidentin Trump për nxitjen e saj, shumica e republikanëve nuk e përmendën atë. Megjithatë, udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell ka deklaruar se Republikanët duhet të mendojnë për demokracinë amerikane dhe të përqendrohen tek uniteti i vendit.

Pas votimit të nëntorit, senatori i Kentucky kishte mbështetur vetë për javë të tëra pretendimet e pabazuara të Donald Trump se zgjedhjet ishin të manipuluara. Megjithatë, më herët të mërkurën, ai tha se përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve do të ishin jashtëzakonisht të dëmshme për demokracinë amerikane.

“Votuesit, gjykatat dhe shtetet, ata të gjithë kanë folur … Këto zgjedhje nuk ishin jashtëzakonisht të afërta. Nëse këto zgjedhje do të përmbyseshin nga akuza të thjeshta nga pala humbëse, demokracia jonë do të hynte në një spirale vdekjeprurëse. Ne kurrë nuk do të shihnim që i gjithë kombi të pranonte përsëri zgjedhje. Çdo katër vjet do të ishte rrëzim të pushtetit”, deklaroi ai.

Si rrjedhojë e mësymjes në Capitol Hill së mbështetësve të Trump, shumë anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë  dhanë dorëheqjen, duke u distancuar nga presidenti. Midis atyre që u larguan më herët janë Zëvendës Sekretarja e Shtypit Sarah Matthews, shefja e stafit të Zonjës së Parë Melania Trump, Stephanie Grisham dhe sekretari social i Shtëpisë së Bardhë Rickie Niceta.

Matt Pottinger, zëvendës këshilltar i sigurisë kombëtare, është zyrtari i fundit i Trump që thuhet se ka dhënë dorëheqjen. Bloomberg News, duke cituar burime pranë Pottinger, tha se ai ishte “i tronditur nga sulmi në Kapitol dhe nxitja e protestuesve nga Trump”.

Pjesa më e madhe e zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë duket se u nxitën nga deklaratat e zëvendës presidentit Mike Pence, i cili i dha goditjen më të rëndë politike presidentit pas humbjes së zgjedhjeve duke deklaruar se ai nuk kishte fituar dhe se mësymja në Capitol Hill ishte një njollë për demokracinë amerikane. Nënpresidenti Mike Pence dënoi protestuesit pro-Trump, ndërsa qëndroi krah demokrates Nensi Pelosi ndërkohë që Kongresi zhvilloi një numërim ceremonial të votave elektorale.

“Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër dhunën që ndodhi këtu. Pikëllohemi për humbjen e jetës në këto salla të shenjta, si dhe dëmtimet e pësuara nga ata që mbrojtën Kapitolin tonë sot”, tha nënpresidenti Mike Pence.

Ai tha se ata që sulmuan, nuk fituan.

“Dhuna nuk fiton kurrë. Liria fiton, dhe kjo është ende shtëpia e popullit. Ndërsa rimblidhemi në këtë dhomë, bota do të jetë përsëri dëshmitare e rezistencës dhe forcës së demokracisë sonë”, tha zoti Pence.

Si shpërtheu kaosi?

Skena të pashembullta tronditën Uashington DC pas fjalimit së Donald Trump i cili i kërkoi Kongresit Amerikan të mos ratifikonte fitoren e Joe Biden.

“Nuk është një protestë, është një kryengritje”, do të deklaronte Biden, ndërsa e nxiti Donald Trump “t’i japë fund këtij rrethimi”.

Protestuesit që mbështesin presidentin në ikje shembën  barrikadat e sigurisë dhe hynë në Capitol Hill, duke kërkuar sipas tyre “drejtësi” për Trump. Ndërtesa e Kongresit u evakuua nga policia ndërsa protestuesit marshuan në grup, duke qëlluar me armë dhe duke u përplasur me policinë nëpër korridore dhe zyra. Protestuesit pushtuan fillimisht podiumin ku Biden pritet të mbajë fjalimin e inaugurimit, thanë dëshmitarë okularë për Reuters.

Zëvendës presidenti Mike Pence, i cili refuzoi thirrjen e Donald Trump për të mos ratifikuar zgjedhjen e Joe Biden, u largua nga ndërtesa për arsye sigurie , sipas mediave amerikane.

Donald Trump postoi një mesazh në Twitter duke u kërkuar mbështetësve të tij të qetësohen dhe të qëndrojnë të qetë. “Mbështetni policinë dhe zbatimin e ligjit në Capitol Hill. Ai është vërtet në anën e vendit tonë. Rrini të qete! “

https://twitter.com/meshahjahanrana/status/1346932519287984129

Pas incidenteve, kryetari i bashkisë së Uashingtonit vendosi një shtetrrethim nga ora 18.00. Në këtë klimë trazirash, takimi në Kongres u ndërpre. Një sërë kongresmenësh dhe senatorësh njoftuan se ishin evakuuar nga ndërtesa, duke shkuar në Twitter se kanë marrë raporte për shpërthime ose të shtëna armësh.

“Washington Post” raportoi se departamenti i mbrojtjes ka mohuar një kërkesë nga zyrtarë e Uashingtonit për të vendosur Gardën Kombëtare në Capitoll Hill. Charles Ramsey, ish-shef policisë së Uashingtonit, tha se ai beson se Donald Trump duhet të miratonte hyrjen e Gardës, për të siguruar Kapitolin. “Kjo është më e afërta me një përpjekje për grusht shteti që ka parë ndonjëherë ky vend,” i tha Ramsey CNN.

Kongresmeni Gerry Connolly konfirmoi që anëtarëve u ishin dhënë maska me gaz para se të evakuoheshin nga ndërtesa. Një reporter i kongresit tha se një protestues po qëllonte në dhomën e Dhomës. Donald Trump ka shpërndarë më pas një deklaratë, vetëm disa minuta pasi Presidenti i zgjedhur Joe Biden i bëri thirrje atij që t’i drejtohet kombit dhe të ndalojë protestat. “Unë e di dhimbjen tuaj. Unë e di lëndimin tuaj”, thotë Trump, përsëri duke pretenduar se zgjedhjet ishin “vjedhur”. “Të gjithë e dinë. Sidomos ana tjetër. Por ju duhet të shkoni në shtëpi tani.”

“Këto ishin një zgjedhje të manipuluara, por ne nuk mund të luajmë si kukulla në duart e këtyre njerëzve. Ne duhet të kemi paqe.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë