Treg

Tregu i pasurive po ringrihet. Njerëzit po blejnë në periferi, por qiratë vuajnë goditjen

Sektori i Pasurive të Paluajtshme ka nisur të rekuperohet pas goditjes që i dha kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19, veçanërisht muajt e karantinës së pranverës.

Këtë e konfirmon për gazetën “Si”, një prej ekspertëve në këtë sektor Dritan Ballgjini, pjesë e rrjetit të agjencive Century 21 në Tiranë.

Ai shpjegon për gazetën se situata gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, jashtë çdo pritshmërie, në tregun e Pasurive të Paluajtshme ka pasur një rikthim në normalitet.

Dritan Ballgjini, ekspert në Pasuritë e Paluajtshme

 “Ka pasur blerje të apartamenteve, e lidhur kjo ngushtë dhe me ndikimin që pati pandemia te njerëzit. Pasja e një çatie mbi kokë, duke qenë se shumica kishin zgjedhur qiranë (më shumë ata që kishin mundësi për të blerë) solli rikthim në normalitet në këtë treg dinamik”- sqaron Ballgjini.

Më shumë blerjet janë drejtuar drejt çmimeve normale 700- 800-900 euro/m me ndërtime të pozicionuara në periferi. Kjo ka sjellë dhe rritjen e çmimeve në zonat periferike në të shumtën e rasteve.

Zona që kanë parë rritje në çmime vazhdon të jenë bregdeti dhe residencat në periferi të Tiranës.

Qendra dhe zonat me çmime të larta kanë vazhduar të ruajnë të njëjtat çmime si në 6 mujorin e parë.

Përsa i përket tregut të qirave, Ballgjini shpjegon se është sektori më i goditur nga pandemia, pasi “të vetmit qiramarrës janë ata që kërkojnë të shpenzojnë më pak duke ulur shpenzimet”.

“Nuk ka qiramarrje nga shtetas të huaj e lidhur ngushtë kjo dhe me mbylljen e kufijve. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për ambientet komerciale të cilat reflektojnë dhe bisneset e mbylluara në këtë vit pandemie në Tiranë”- thotë ai.

I pyetur nga gazeta Si nëse tregu i ka bërë bilancet e vitit që shkoi për të kuptuar humbjen dhe si do të vijojë rimëkëmbja, ai përgjigjet se “natyrisht si fillim viti të gjithë janë ulur për të bërë bilancet për vitin që mbyllëm. Padyshim ka rënie e cila u rikuperua në tremujorin e fundit disi, por jemi larg pritshmërive tona. COVID do vazhdojë të jetë me ne edhe për shumë kohë, dhe pse vaksina po jep efektet e veta, gjthsesi është herët për të bërë parashikime. Objektivat do vazhdojmë ti mbajmë të larta, por ato mbeten objektiva. Do shihet si do sillet ekonomia në tremujorin e parë për të dhënë opinione të sakta”.

Tregu i Pasurive të Palujatshme së bashku me atë të ndërtimit kanë qenë sektorët që kanë ndikuar pozitivisht në uljen e rënies ekonomike si pasojë e krizës që shkaktoi COVID-19.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se këta sektorë kanë performuar pozitivisht gjatë tremujorit të tretë si në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, po ashtu edhe me një tremujor më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë