Viti 2020 u mbyll zymtë për bar-restorantet, veçanërisht ata në Tiranë, ku nostalgjia të shpie në kapërcyell të viteve paraardhëse, teksa kryeqyteti ishte simbol i oazit të festave në clube, restorante e bare para dhe pasi akrepat ishin puthur në numrin 12.
2020 ishte e vështirë kryesisht për të gjithë sektorët, por veçanërisht për ata që kishin lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me turizmin, si në këtë rast bar-restorantet. Shumë prej tyre të frekuentuar kryesisht nga turistë të huaj e të rajonit.
Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bar-Restoranteve në vend thotë për Gazetën “Si” se sektori nga të dhënat paraprake ka humbur 30% krahasuar me 2019-n.
“Si shifër nuk është dramatike krahasuar me sektorë të tjerë, nuk patëm fitime, kjo është e vërteta. Por ajo që bëmë ishte shkurtimi i stafit. Kemi shkurtuar staf, orë pune, rroga. Këto janë humbje. Nuk kishim zgjidhje tjetër. 2020 ishte shumë i vështirë për të gjithë. Klientët, konsumatorët pra, në një situatë të pasigurt, shkurtuan shpenzimet e argëtimit që është edhe restoranti. Si mund të fitonim ne në këtë vit të mbpashptë?” thotë Jahaj.
Situata përveçse nuk u përmirësua në fundvit, por përkundrazi shifrat e infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19 diktuan të kundërtën. Shqipëria ndoqi qasjen e shumë vendeve europiane, por jo aq drastike për afruar orarin e karantinës së kufizuar.
Kjo u përkthye që njerëzit nuk mund të prisnin në mjediset jashtë shtëpisë; në rrugë, restorante apo lokale ndërrimin e viteve siç kanë bërë çdo vit para pandemisë.
Por Jahaj vëren se kufizimet ishin selektive dhe i vuajti kryesisht vetëm kryeqyteti.
“Në Korçë, Durrës, Sarandë e gjetkë shqiptarët festuan. U penalizua vetëm Tirana. Ne nuk duam t’u bëjmë keq kolegëve tanë, por standardi dhe rregulli duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Edhe kur kanë raportuar disa syresh, policia ka thënë se do të gjobiten. Por e vërteta është dhe konfirmohet gjithmonë që rregullat dhe kufizimet gjithmonë funksionojnë në mënyrë selective”- sqaron Jahaj, kreu i shoqatës së bar-restoranteve.
Sipas tij edhe 2021 nuk do të jetë rozë, përkundrazi, shpresat për të janë të pakta për lëvizje të vogla.
“Nëse nuk do të vaksinohet e gjithë popullata në Shqipëri deri në maj që nis sezoni turistik, kam frikë se edhe 2021 do të jetë njëjtë i zymtë si 2020. Europa po vaksinohet, por duke qenë se vaksinat nuk janë 100% efektive, nëse ne nuk vaksionohemi, turistët nuk rrezikojnë të vijnë këtu”- thotë Jahaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




