Pas 32 viteve, Eliot Engel nesër largohet nga Kongresi në ShBA. Ambasadorja e ShBA në Tiranë Yuri Kim, ka reaguar lidhur me largimin e tij me anë të një mesazhi në rrejte sociale, ku e falenderon Engel për vitet që i ka kushtuar vendit, përfshirë dhe mbështetjen për marrëdhënie të forta Shqipëri- SHBA.
Kim shton se Engel ka fituar respektin dhe mirënjohjen e shumë njerëzve në mbarë botën.
“Faleminderit Eliot Engel për një jetë të tërë shërbimi ndaj vendit tonë, përfshirë mbështetjen tuaj për marrëdhëniet e forta Shqipëri-SHBA. Ju keni fituar mirënjohjen, respektin dhe dashurinë e kaq shumë njerëzve në të gjithë botën. Faleminderit”, shprehet ambasadorja Kim.
Ndër diplomatët e huaj, Engel njihet si miku më i mirë i shqiptarëve për vetë rolin e tij vendimtar për Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, bombardimet e NATO-s ndaj serbëve dhe parandalimin e një gjenocidi në masë. Engel ishte së fundi kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Pas 32 vjetëve të shkëlqyeshme, sot është dita ime e fundit si anëtar i Kongresit. Ka qenë nder jetësor t’u shërbej njerëzve të Bronxit dhe Westchesterit dhe jam përjetësisht falënderues që më është ofruar mundësia t’u përfaqësojë ju në Uashington. Faleminderit që më keni dhënë besimin e juaj”, ka shkruar ndër të tjera kongresisti Engel në Facebook.
Për largimin e Engel ka reaguar edhe deputetja Rudina Hajdari, e cila tregon se ai i ka ndryshuar jetën që nga momenti kur i ka shkuar në zyrë, ku dhe mësoi se shumë kohë para saj në të njëjtën zyrë kishte shkuar edhe i ati, Azem Hajdari.
Për largimin e tij ka reaguar edhe kreu demokrat Lulzim Basha i cili në rrjete sociale i ka shprehur mirënohjen kongresmenit, të cilin e quan një avokat të palëkundur të vendit tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




