Në prag të Krishtlindjes në Itali, kambanat e kishave ranë më herët se zakonisht. Qeveria italiane i nxiti Kishat të mbanin meshën e “Mesnatës” përpara orës 22:00 të mbrëmjes, duke ndryshuar kështu ceremoninë shumë vjeçare.
Papa Françesku, i cili u ka bërë thirrje besimtarëve të Krishterë “t’u binden” masave të autoriteteve civile për të luftuar përhapjen e Covid-19, ndoqi po ashtu këto rregulla. Këtë vit, Mesha e Vigjiljes së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit u mbajt në orën 19:30.
Në meshën e Krishtlindjes, Vatikani mbushet plot me besimtarë dhe turistë, por pandemia e gjeti këtë vit qendrën e Krishterimit pothuajse të zbrazët.

Në përputhje me masat e distancimit shoqëror, vetëm 200 besimtarë morën pjesë në Meshën e mbajtur nga Ati i Shenjtë, të shpërndarë dhe me maska. Një sërë bimësh të kuqe të zjarrta qëndronin në kontrast me mermerin e ftohtë të Bazilikës së Shën Pjetrit.
Papa Françesku, në predikimin e tij ofroi përsiatje mbi domethënien e Krishtlindjes. “Ne shpesh dëgjojmë të thuhet se gëzimi më i madh në jetë është lindja e një fëmije. Është diçka e jashtëzakonshme dhe ndryshon gjithçka” tha ai. Një fëmijë “na bën të ndihemi të dashur, por gjithashtu mund të na mësojë se si të duam”.
“Zoti lindi fëmijë në mënyrë që të na inkurajojë të kujdesemi për të tjerët”, tha Ati i Shenjtë, i cili u ka kushtuar vëmendje të varfërve dhe të përjashtuarve, duke e kthyer në një temë kryesore të papatit të tij.

“Zoti gjithmonë na do me një dashuri më të madhe sesa kemi për veten tonë. … Vetëm dashuria për Jezusin mund të transformojë jetën tonë, të shërojë lëndimet tona më të thella dhe të na çlirojë nga qarqet vicioze të zhgënjimit, zemërimit dhe ankesave të vazhdueshme” tha Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku kujtoi lindjen e Krishtit.
“Në një stallë të errët, Biri i Zotit lindi natën pa strehim në varfëri dhe refuzim, kur ai meritonte të lindte si më i madhi i mbretërve në më të mirët e pallateve. Pse? Për të na bërë të kuptojmë pafundësinë e dashurisë së tij për gjendjen tonë njerëzore. Biri i Zotit lindi një i dëbuar, në mënyrë që të na tregonte se çdo i dëbuar është një fëmijë i Zotit” tha Papa Françesku.
Ati i shenjtë tha që Zoti “e vendosi shpëtimin tonë në një stallë të errët” dhe prandaj nuk ka frikë nga varfëria, duke shtuar se “Zoti do të bëjë mrekulli përmes varfërisë sonë”.

“Zoti erdhi mes nesh në varfëri dhe nevojë, për të na thënë se ne do të tregojmë dashurinë tonë për të, në shërbim të të varfërve, ne,” tha Ati i Shenjtë.
Festimet në vende të tjera të Europës u anuluan ose u kufizuan pasi numri i të infektuarve u rrit në të gjithë kontinentin dhe u zbulua një variant i ri që mund të jetë më ngjitës.
Ndërkohë, Betlehemi filloi një marshim në prag të Krishtlindjes për ardhjen triumfale të klerikut të lartë katolik në Tokën e Shenjtë, por pak njerëz ishin atje për t’i përshëndetur për shkak të masave të ashpra kufizuese të vendosur në vendlindjen e Krishtit.

Skena të ngjashme u përsëritën në të gjithë botën ndërsa mbledhjet festive familjare dhe meshat u zvogëluan ose anuluan krejtësisht. Në Australi, adhuruesit duhej të rezervonin bileta në internet për të marrë pjesë në Meshë. Filipinet ndaluan tubimet masive dhe ndaluan familjet të mbajnë darka tradicionale.
Italianët u rreshtuan në furrat e bukës, tregjet e peshkut dhe dyqanet ushqimore për ushqimet e nevojshme për të përgatitur darkën e Krishtlindjeve, edhe pse zyrtarët iu lutën familjeve të kufizonin darkën me jo më shumë se dy të ftuar. Qeveria këtë javë ndaloi udhëtimet midis rajoneve dhe policia doli të enjten në rrugë për të zbatuar kufizimet.
Në Athinë, vigjilja e Krishtlindjes ishte e heshtur. Në kohë normale, zërat e fëmijëve që këndojnë ndërsa u bien trekëndëshave metalikë mund të dëgjohen gjatë gjithë ditës. Zakon i vjetër i vendit fqinj, në të cilin fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi dhe marrin dhurata të vogla, u ndalua këtë vit. Por disa grupe fëmijësh arritën të ruanin traditën duke i kënduar Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në një video live.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




