U luajtën 4 ndeshjet e javës së 10-të të Superiores. Partizani rikthehet te fitorja pas plot 4 javësh. “Demat e Kuq” mposhtën me rezultatin 2-0 Kastriotin, në një sfidë të dominuar nga kryeqytetasit. Partizani zhbllokohet pas 426 minutash lojë, duke llogaritur edhe 86 minutat e sotme, derisa Cara shënoi golin e parë ndaj Kastriotit. Pastaj ishte Asani, ai që dyfishoi nga pika e bardhë, në limitin e kohës shtesë.
Vllaznia ka mposhtur minimalisht Apoloninë, duke dalë me tri pikë të çmuara prej andej. Goli i Hoxhajt në fundin e pjesës së parë i ka kthyer kuqeblutë te suksesit, pasi u ndalën në Laç fundjavën e kaluar. Kreu i Superiores mbetet sërish pronë e tyre. Ndeshja nisi keq për shkodranët, të cilët u rrezikuan disa herë në fillim nga vendasit. Megjithatë Ardit Hoxhaj në minutën e 40’, vendosi qetësinë të shkodranët, duke shënuar golin e avantazhit pas një krosimi të Gurishtës. Me këtë fitore shkodranët lejnë pas krahëve humbjen e fundit ndaj Laçit, ndërsa falë këtij trepikëshi të radhës ia dalin të ruajnë të qetë vendin e parë në klasifikim me 22 pikë. Nga ana tjetër, Apolonia e trajnerit provizor Borova pëson disfatën e radhës dhe kështu nuk ia del të largohet nga vendi i klasifikimit duke mbledhur vetëm pesë pikë.
Teuta ka “asfaltuar” edhe Skënderbeun kësaj radhe. Durrsakët e nisën mirë sfidën duke qenë se shpejt gjetën golin e avantazhit me anë të Dejvi Bregut, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë për të ndëshkuar. Ndërkohë, u duk se të besuarit e trajnerit Julian Ahmataj mund të merrnin pikë në këtë ndeshje pasi ia dolën të barazonin në minutën e 54 me anë të Pusit. Gjithsesi, reagimi i Teutës ishte i menjëhershëm dhe kaluan sërish në avantazh me anë të Blerim Krasniqi. Në vazhdim, ishte po ky i fundit që ndëshkoi sërish vendasit dhe vulosi fitoren për të tijtë. Pas këtij suksesi, Teuta ngjitet në vendin e tretë me 16 pikë, ndërsa korçarët mbeten të parafundit me gjashtë pikë
Laçi nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro ka marrë fitoren e dytë radhazi teksa sot kanë mposhtur në shtëpi me rezultatin e pastër, 2-0, Bylisin. Rezultatin e ka zhbllokuar Xhixha, para se Lushkja të dyfishojë dhe vërë në shina të sigurta suksesin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




