Inter arriti fitoren e gjashtë radhazi në Serinë A italiane, ku mposhti 2-1 në “Giuseppe Meazza” skuadrën e Spezias. Zikaltrit iu falën dy golave në pjesën e dytë dhe vazhdojnë të renditën të dytët, me një pikë më pak se Milani. Golat për skuadrën e Antonio Contes ishin rezervuar në fraksionin e dytë të takimit me Achraf Hakimin autor të golit të parë në minutën e 51′, dhe 20 minuta më vonë me Romelu Lukakun i cili shndërroi në gol një 11-metërsh. Në minutat shtesë erdhi edhe goli i Spezias. Roberto Piccoli autori i golit.
Ardijan Ismajli e nisi si titullar për herë të parë për ekipin mik dhe ia doli të rezistojë në 45 minutat e para. Mbrojtësi kuqezi u përball vazhdimisht me Lukakun e Lautaro Martinez dhe ndaloi sulmet e tyre, duke bërë ndërhyrje të sakta. “Eurosport” e vlerësoi atë me notën 6,5, shumë e lartë për lojtarin e një ekipi që u mund dhe e barazvlefshme me notën e Hakimi e De Vraj, dy lojtarët që vlerësoi më lart te skuadra fituese, ndërsa pjesa tjetër e zikaltërve kishin nota më të ulëta.

“I aftë në pjesën e parë ndaj Lukakut, në tentativën e belgut për të kaluar Provedel. I vëmendshëm edhe në pjesën e dytë, me dy mbyllje shumë të mira”, shkruante portali i “Eurosport” për mbrojtësin shqiptar.
Ai e nisi karrierën te 2 Korriku, pastaj vazhdoi te Prishtina para se t’i bashkohej Hajdukut të Splitit. Për mbrojtësin shqiptar, transferimi në Itali ishte hapi i madh në karrierë, ku shpreson që Spezian ta shfrytëzojë si trampolinë para transferimit tek ndonjë klub më i madh evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




