Lindon Selahi ka lindur në Belgjikë dhe është formuar si futbollist në akademitë më të mira belge. Ai e ka nisur karrierën te Standard Liege për të vazhduar më pas rrugëtimin e tij te Anderlehti e për t’u stacionuar te klubi holandez i FC Twente, ku aktivizohet aktualisht. Pasi u aktivizua edhe me ekipet kombëtar të moshave të Belgjikës (U-14, U-15 dhe U-16) mesfushori i talentuar vendosi të dëgjojë zemrën e tij dhe zgjodhi përfundimisht të përfaqësojë Shqipërinë. Në vitin 2018, Selahi u grumbullua me ekipin kombëtar U-21 të Shqipërisë dhe spikati menjëherë me aftësitë e tij në fushën e lojës. Thuajse një vit pas debutimit me fanellën kuqezi ai u ftua në kombëtaren A e që prej atij momenti ka qenë pjesë e vazhdueshme e grumbullimeve. Selahi është pjesë e një brezi të artë të talenteve shqiptare dhe projektohet si një nga elementët më të rëndësishëm të mesfushës kuqezi. Në miqësoren e nëntorit ndaj Kosovës ku luajti si titullar, Selahi u tregoi të gjithëve se është një futbollist i perspektivës falë personalitetit që tregoi në fushë.
Kombëtarja- Te Kombëtarja unë e konsideroj veten si pjesë të ekipit të parë. Trajneri Reja ka besim tek unë dhe ai e tregoi këtë në ndeshjet e fundit. U integrova shpejt në ekip dhe mendoj se kemi një atmosferë shumë të mirë.
Në fakt, unë kam pasur mundësi të luaja për ekipin kombëtar U-21 të Belgjikës dhe për Kosovën, por zemra ime zgjodhi flamurin tim. Ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë, isha shumë më i lumtur për familjen time sesa për veten.
Sinqerisht mendoj se me këtë ekip që kemi mund të bëjmë surpriza. Ne kemi një ekip të ri me lojtarë shumë të mirë, të cilët luajnë edhe me klube të mëdha në Europë. Kemi diskutuar për objektivat, por do t’i marrim me radhë ndeshje pas ndeshjeje, duke u përpjekur t’i fitojmë të gjitha.

Episodi më i bukur në karrierë- Momentin që kurrë nuk e harroj është kur shënova golin e parë me Twente. Në atë çast e gjithë familje ime ishte në stadium, duke ndjekur ndeshjen edhe ishte një gëzim i jashtëzakonshëm. Me kombëtaren kam dy momente, që nuk do më shlyhen kurrë nga mendja.
Momenti i parë është miqësorja me Kosovën, pasi ishte ndeshja e parë që unë luaja në formacionin e parë me Kombëtaren A. Dhe momenti i dytë është ndeshja zyrtare në stadiumin “Air Albania” ndaj Bjellorusisë e vlefshme për UEFA Nations League.

Shumë i lumtur që e fituam atë sfidë dhe u renditëm të parët në grup. Sigurisht, u ndje shumë mungesa e tifozëve në stadium, por gjithsesi ne e dinim që të gjithë shqiptarët kudo në botë po na mbështesnin nga larg në ato çaste.
Modeli- Lorik Cana dhe mendoj se për shumicën e futbollistëve të rinjve ai është idhulli. Ai pati shumë sukses me kombëtaren. Në fushë ai jepte zemrën gjithmonë në çdo ndeshje. Kurse Luka Modriç është idhulli ime personal. Mendoj se jam i fiksuar pas mënyrës se si ai luan. Për mua ai është mesfushori më i fortë në botë, shikoj shpesh videot e ndeshjeve të tij.
E ardhmja- Unë u largova nga shtëpia dhe familja për të ndjekur ëndrrën time kur isha 14 vjeç. Ishte shumë e vështirë për mua, por edhe për familjen time. Të mos shihja prindërit dhe vëllanë çdo ditë ishte e vështirë, por ky moment më bëri shumë të fortë nga ana psikologjike.
Si çdo futbollist profesionist synoj që të kem një karrierë të madhe dhe të luaj në nivele të larta në Europë. Dhe me Kombëtaren ëndërroj të marr pjesë në finalet e Botërorit dhe Kampionatit Europian. Punoj çdo ditë fort për të arritur këto objektiva.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




