Treg

Viti 2020 i vështirë për tregtinë e jashtme, por eksportet u rigjallëruan në nëntor

Tregtia e jashtme është goditur mjaft gjatë 2020-ës për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia.

Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se në njëmbëdhjetëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 249 mld lekë, duke u ulur me 10,1 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 544 mld lekë, duke u ulur me 8,4 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 295 mld lekë, duke u ulur me 6,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

Sektori që është goditur më shumë në aspektin e eksporteve gjatë 2020-ës ka qenë “tekstile dhe këpucë”, kurse pozitivisht ka ndikuar grupi ushime, pije dhe duhan.

Si njëmbëdhjetë mujor, importet janë ulur me 8,4 %, krahasuar me njëmbëdhjetëmujorin e 2019. Grupet që kanë ndikuar më shumë në uljen vjetore të importeve janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Tekstile dhe këpucë”. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar pozitivisht grupet:“Ushqim, pije, duhan” dhe “Produkte kimike dhe plastike”.

Por kursi ka nisur të ndryshojë për eksportet duke shfaqur sinjale rigjallërimi.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në Nëntor 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u rritur me 10,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 1,7 %, në krahasim me Tetor 2020. Por nuk ka ndodhur njësoj për importet e mallrave. Ato arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 5,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur 6,3 %, në krahasim me Tetor 2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 28 mld lekë, duke u rritur me 0,2 %, krahasuar me Nëntor 2019 dhe duke u ulur me 12,9 %, në krahasim me Tetor 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë