Kompania kineze “Real Fortress Private Limited” që zotëron 100% të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” do ti shesë ato.
Burime të gazetës “Si”, të konfirmuara edhe nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës bëjnë me dije se grupi kinez është në tratativa me grupin shqiptar “Kastrati” i cili de juro, jo de fakto ka në zotërim edhe aeroportin e Kukësit për 35 vite.

Grupi kinez, i shërbimeve financiare China Everbright, njoftoi ne prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited”. Të drejtat koncesionare u blenë nga tre aksionerët Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”, DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”), që kishin nënshkruar një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare në vitin 2004. Çmimi i shitjes së kuotave te kompania kineze ishte 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.
Ekspertët thonë për gazetën “Si” se kinezët mund tia shesin aksionet e aeroportit kuj të duan dhe për këtë nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Por, sqarojnë ata, duke qenë se tregu është shumë i vogël dhe është lehtësisht potencial për të rënë pre e monopolit, pas kryerjes së transaksionit, duhet të kalojë në skaner dhe të jetë objekt monitorimi rigoroz dhe të vazhdueshëm nga ana e Autoritetit të Konkurrencës.
“Tirana International Airport” ishte një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në vend, me një normë fitimi që arrinte deri në gati 50% deri në 2019.
Në 2019-ën, kompania raportoi të ardhura prej gati 7 miliardë lekësh.. Në vitin 2019, TIA përpunoi një nivel rekord pasagjerësh prej 3.1 milionë.
Qeveria ka qenë në negociata me koncesionarin e Rinasit për uljen e tarifave, pasi nga auditimet ka rezultuar se kompania koncesionare ka fituar më shumë të ardhura nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar.
Kastrati është grupi ekonomik privat më i madhi në vend. Aktiviteti I tij kryesor përqëndrorhet në fushën e tregtimit me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, por që vitet e fundit është diversifikuar, kryesisht në sigurime, në sektorin e ndërtimit dhe turizmit dhe tashmë edhe në transportin ajror.
Në vitin 2019, qarkullimi vjetor i grupit ishte afro 90 miliardë lekëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




