Fill pas njoftimit se nuk do të toleronte më grumbullime të më shumë se 10 personave në publik, duke iu referuar këtu edhe masës kufizuese të vendosur nga Komiteti Teknik anti-Covid 1 muaj më parë, Policia e Shtetit nisi në terren përpjekjet për ta zbatuar këtë urdhër.
Gazeta “Si” mëson se duke filluar prej orës 16:00 të ditës së hënë, policia përforcoi patrullat dhe kontrollet në rrugët hyrëse kryesore të kryeqytetit.
“Kjo për shkak se shumë të rinj pjesëmarrës në protestat e këtyre ditëve janë identifikuar si banorë të zonave përreth Tiranës, si Kamëz, Vorë, Paskuqan, Farkë, Ndroq”, thonë për Gazetën “Si” burime policore.
Kontrollet u përqëndruan tek rrethrrotullimi “Shqiponja”, bulevardi i Ri i Kasharit, Sauk, në pjesën e Unazës së Madhe që lidhet me autostradën Tiranë-Elbasan dhe në zonën e Kombinatit. Në një pjesën më të madhe kontrollet u ndërmorën nga Forcat “Shqiponja”.
“Pothuajse kontroll rutinë në këto raste, ku efektivëve në terren u është lënë në dorë kë të ndalojnë, kë jo. Nga këto kontrolle janë verifikuar të paktën 13 persona si pjesëmarrës në protestat e dhunshme, për të cilët është vendosur procedimi në gjendje të lirë”, vijojnë burimet.
Por, kontrollet në fjalë rënduan edhe më tej trafikun e automjeteve në kryeqytet, që edhe në ditët normale në oraret 16:00-19:00 është i rënduar.
“Policia është përpjekur që të lehtësojë këtë pjesë përmes forcave të policisë rrugore dhe shmangies së kontrolleve të shpeshta, por vetëm të automjeteve të personave që dyshohen, ose janë identifikuar nga pamjet filmike të këtyre ditëve që kemi bërë vetë, ose të sekuestruara nga kamerat e bizneseve, apo institucioneve”, deklarojnë më tej burimet e Gazetës “Si”.
Megjithatë, në radhët e Policisë së Shtetit janë të vetëdijshëm se ky është një mision i vështirë, ndërsa pohojnë se vështirësi po hasin edhe në identifikimin e personave që janë filmuar duke kryer akte dhune dhe goditur efektivët.
“As që mund të vihet në zbatim (urdhri i ndalimit të grumbullimit të më shumë se 10 personave), nëse qytetarët nuk bashkëpunojnë. Për disa pjesëmarrës, që janë filmuar e fotografuar duke ushtruar akte dhune është i vështirë identifikimi për shkak të maskave anti-Covid”, thonë burimet.
Një ditë më parë, Policia iu drejtua qytetarëve duke u kujtuar vendimin e Komitetit Teknik, sipas të cilit ndalohet çdo formë grumbullimi e më shumë se 10 personave në ambiente të hapura, apo të mbyllura qofshin.
Në të njëjtin njoftim, Policia thotë se respektimi i këtyre masave është i domosdoshëm për të shmangur ashpërsimin e masave kufizuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




