Futboll

”Messi duhet të transferohet te Napoli, si nderim për Maradonën”

Kevin-Prince Boateng mendon se Lionel Messi duhet t’i bëjë nderimin e fundit patriotit të tij të madh argjentinas, Diego Maradona, duke nënshkruar për Napolin. Maradona u nda nga jeta muajin e kaluar dhe Messi tashmë ka bërë homazhin e tij unik, duke hequr fanellën  e Barcelonës kur shënoi kundër Osasuna, për të zbuluar një fanellë të “Dorës së Zotit” me Newell’s Old Boys. Newell është skuadra ku nisi të luajë futboll Messi dhe ku Maradona kaloi një sezon në klub drejt fundit të karrierës

Ishte Napoli, skuadra ku Maradona e çimentoi statusin e tij legjendar, me fituesin e Kupës së Botës 1986 që e udhëhoqi klubin në fitimin e dy titujve të Serie A më 1987 dhe 1990. Napoli e ka tërhequr fanellën nr.10 të Maradonës, çka do të thotë se kapiteni aktual i Barcës do të duhet të marrë një numër tjetër, por Boateng mendon se është një lëvizje që Messi duhet ta bëjë.

“Messi do ta përfundojë kontratën e tij te Barcelona, ​​por sa e mahnitshme do të ishte nëse ai thjesht do të telefononte Napolin dhe do të thoshte: Unë do të vij te ju prej Maradonës – tha Boateng për ESPN. – Ata nuk e kthejnë më fanellën nr.10, por do të dëshiroja ta nderonte Maradonën te Napoli. Pra, do të doja që Messi të vinte dhe të luante një vit apo dy vite në Napoli, pa menduar për para dhe asgjë tjetër, thjesht ta bënte me zemër”.

Mesfushori i Monza-s, Boateng, i cili kaloi 6 muaj huazim te Barcelona, kur luajti së bashku me Messin, e ka përshkruar mundësinë e një lëvizjeje te Napoli si një skenar filmi, por do të dëshironte të ndodhte:

“Do të ishte si një film. Ai do të duhej të shkonte në stërvitje me një helikopter, sepse njerëzit “do ta hanin të gjallë”. Napolitanët do të ishin kaq të lumtur. Do të hynte në histori, për nder të Maradonës. Çfarë lloj historie do të ishte kjo për botën, jo vetëm për futbollin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë