Është përcaktuar në Zyrih të Zvicrës, shorti i kualifikueseve të Kampionatit Botëror 2022, në Katar. Kosova pas hedhjes së shortit është pozicionuar në grupin B, ku kundërshtarë të saj janë Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia.
Menjëherë pas këtij shorti, mediat spanjolle reaguan në lidhje me faktin se si do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Spanjës, kur dihet se kjo e fundit nuk e ka njohur ende shtetin e Kosovës. Në lidhje me këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës, Arancha González Laya, u shpreh se është një çështje që “zgjidhet me rregullat e FIFA “.
“Ato janë rregullat e tyre, nuk janë ato të së drejtës ndërkombëtare në lidhje me njohjen e shteteve. Kjo është arsyeja pse në FIFA ka konkurrentë si Ishujt Faroe, Uellsi, Skocia, Irlanda e Veriut ose Gjibraltari, të cilët nuk janë shtete,” komentoi ajo për Cadena Ser.
Skenarë të ndryshëm janë parashtruar në lidhje me këtë çështje. Njëri prej tyre është që kjo ndeshje të zhvillohet në një teren neutral, kurse skenari tjetër parasheh që Kosova të paraqitet përball Spanjës pa himn dhe pa simbolet tjera shtetërore.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani u shpreh së fundmi se nëse sfida mes “Furisë së Kuqe” dhe “Dardanëve” nuk zhvillohet në Kosovë, atëherë do të zgjidhet Shqipëria si terren neutral për të lejuar organizimin e takimit.
“Komiteti Olimpik i Kosovës është i njohur në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar më të drejta të plota dhe të gjitha federatat sportive janë të njohura nga federatat përkatëse ndërkombëtare që nënkupton që ne jemi të barabartë sikurse edhe të gjithë anëtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar por edhe federatave ndërkombëtare, në këtë rast edhe UEFA-së dhe FIFA-së. Dhe absolutisht kemi të drejtë të trajtohemi të barabartë sa i përket pjesëmarrjes, udhëtimit, vizave, por edhe simboleve që i ka një shtet, flamuri, himni dhe kështu me radhë…. Kështu që në këtë drejtim, jam optimist që ky pluhur i ngritur lartë do të bie gradualisht poshtë dhe do të vijnë të gjitha këto kombëtare për të luajtur këtu në Kosovë dhe në do të udhëtojmë dhe të zhvillohen lojërat dhe në vende të tjera, përndryshe, siç e thash pasojat munden me qenë shumë të mëdha për këto shtete, respektivisht për këto federata.”, tha Hasani.

Hasani më tutje, ka shtuar se ideja që ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Spanjës të zhvillohet në Shqipëri, si një teren neutral, është një variant më i pranueshëm por që institucionet e Kosovës duhet të insistojnë që kjo përballje të zhvillohet ne Kosovë.
“Kosova duhet të insistojë që garat të mbahen në vendin tonë, në Kosovë, jo në ndonjë vend tjetër, qoftë edhe në Shqipëri, që do të ishte ndoshta një variant më i pranueshëm, mirëpo kjo duhet të insistohet në institucionet më të larta, mos të lëshohet pe. Këto janë njëherë vetëm skenarë të mundshëm por unë besoj që edhe ne si Komitet Olimpik por edhe Federata e Futbollit në bashkëpunim edhe me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar edhe me UEFA-në dhe FIFA-në që mos të lëshohet pe në këtë drejtim por të insistohet deri në fund që garat të mbahen në Kosovë dhe ne të shkojmë të luajmë në këto vende.”, shtoi më tutje Hasani.
UEFA miratoi një politikë ndeshjesh në lidhje me vendet që nuk e njohin Kosovën, përveç në rastet kur ky organ ka vendosur përjashtime për arsye sigurie (aktualisht Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina). Spanja është një nga vendet që nuk e njeh Kosovën, për atë arsye u tërhoq nga organizimi i raundit elitar të Evropianit nën-17 të luajtur në fund të marsit të kaluar, kundër Greqisë, Kosovës dhe Ukrainës, e cila më në fund u luajt në Nyon ( Zvicra).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




