Treg

Pandemia ul çmimet e prodhimit, u godit më shumë nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror

Sektori i prodhimit është goditur fort nga pandemia. Të dhënat e INSTAT tregojnë për çmime të ulura në këtë sektor të ekonomisë në Shqipëri. Në këtë drejtim më shumë është goditur Industria Nxjerrëse, veçanërisht Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit,

INSTAT raporton se në tremujorin e tretë të vitit 2020, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 98,2 duke shënuar një ulje me 4,1 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit, në tremujorin e tretë 2020, shënoi ulje me 0,8 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2020.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në seksionin ”Industri Nxjerrëse” në tremujorin e tretë 2020, ka shënuar ulje me 19,5 %. Brenda këtij seksioni ulja më e madhe e çmimeve është shënuar në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 31,3 %, ku impaktin më të madh e ka dhënë muaji Shtator.

Çmimet e Prodhimit, në seksionin “Industri përpunuese” ka shënuar ulje me 0,6 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2019. Brenda këtij seksioni ulje më të madhe kanë pësuar çmimet në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 7,7 %, pasuar me çmimet në aktivitetin “Metalurgjia” me 4,1 %. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për Produktet Vendase: Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, indeksi shënoi ulje me 2,7 %. Uljen më të madhe e kanë shënuar çmimet e prodhimi në seksionet “Industri nxjerrëse” dhe “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” përkatësisht me 11,7 % dhe 4,4 %.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, çmimet e prodhimeve të eksportit u ulën prej 5,3 %. Ulja më e madhe e çmimeve prej 29,6 % ndodhi në seksionin “Industri Nxjerrëse”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë