Futboll

Covid-19, portieri Etrit Berisha shtrohet në spital

Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha është shtruar në spital për shkak të koronavirusit (COVID-19), ndërsa klubi italian raporton se 31-vjeçari është dërguar në klinikën e Konas.

“S.P.A.L. srl njofton se pas pozitivitetit për koronavirus, të konfirmuar të premten e 27 nëntorit, në orët e kaluara portieri Etrit Berisha u shtrua në departamentin e specializuar të Covid-19 të spitalit Cona për të kryer analiza klinike”, – thuhet në deklaratën zyrtare, në faqen e internetit të klubit Italian të futbollit, që militon në Serie B këtë sezon.

Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar rrjedhën e infeksionit. Aktualisht, detajet e situatës mjekësore të Berishës nuk dihen, por mediat italiane sqarojnë që arsyeja e shtrimit në spital është kryesisht si një masë paraprake.

Lojtari ishte vendosur në karantinë paraprake  19 nëntorin e kaluar, pasi u kthye nga angazhimet me ekipin kombëtar shqiptar, për shkak të kontakteve me Elseid Hysaj, i cili rezultoi pozitiv. Pavarësisht se tamponi rezultoi pozitiv, SPAL ka preferuar të mos rrezikojë, duke shmangur kështu çdo kontakt me pjesën tjetër të ekipit për portierin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë