Futboll

U mund 6-0 nga Spanja, Gjermania konfirmon trajnerin Löw

Pas humbjes me Spanjën, e ardhmja e Joakim Löw dukej në dyshim dhe shkarkimi jepej thuajse i sigurtë. Megjithatë, Gjermania e ka konfirmuar trajnerin. Drejtuesit e federatës gjermane të futbollit kanë vendosur të vijojnë bashkëpunimin me trajnerin i cili fitoi Kupën e Botës në vitin 2014.

Paraqitjet jo të mira të “panzerave” në takimet e fundit dhe humbja poshtëruese 6-0 nga Spanja, ngritën dyshime për të ardhmen e tij, që u duk se ishte në fund të aventurës së tij me përfaqësues. Megjithatë pas diskutimeve nga drejtuesit e federatës, është parë e arsyeshme që 60-vjeçari të vijojë punën së paku deri në fund të kampionatit europian, që është programuar për t’u zhvilluar në verën e vitit 2021.

Drejtuesit e kanë vlerësuar punën e teknikut i cili prej kohësh ka si objektiv rinovimin e kombëtares gjermane, për të pasur një ekip sa më konkurrues, në mënyrë që të evitohet një paraqitje si ajo e kampionatit botëror të vitit 2018.  Löw është trajner i Gjermanisë që nga viti 2006, duke qenë një nga trajnerët më jetëgjatë në stolin e një skuadre përfaqësuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë