Bashkia e Shkodrës ka hapur rrugën e shitjes së Vllaznisë, që vitet e fundit ka vuajtur shumë nga mënyra e administrimit të saj dhe kjo situatë është reflektuar edhe në rezultate. Me një vendim unanim, Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka dhënë miratimin për të nxjerr në ankand aksionet e klubit Vllaznia me një çmim fillestar prej 600 milionë lekësh (të vjetër). Ankandi tashmë është i hapur, teksa kanë nisur edhe interesimet e para. Mes tyre është edhe ish-presidenti Valter Fushaj, që deklaroi hapur se dëshiron të blejë pjesën më të madhe të aksioneve.
“E shikoj pak si me ngut vendimin e Këshillit Bashkiak për shitjen e aksioneve të klubit. Duhet të miratohet projektligji për privatizimin. Duhet pritur dhe projektligji i qeverisë. Te Vllaznia nuk duhet të përzihet politika, unë do të jem këtu për ta ndihmuar.
E kam drejtuar atë si presidenti për 5 vite dhe jam i bindur që Vllaznia duhet të rikthehet te emri Vllazni. Ka emrin Vllazni, por sot ka vetëm 3 shkodranë në formacion. Nga akademia duhet të fillojë gjithçka, por ajo funksionon vetëm për të mbledhur fonde”, deklaron shkodrani.

“Ekipi ka nevojë për imazh, binjakëzime dhe ka po aq nevojë për emrin e saj. Ekipet e tjera duhet të tremben nga loja dhe nga emri i Vllaznisë. Janë disa klube që kanë shpenzuar më shumë se unë, por nuk kanë shumë arritje.
Borxhet në tatime? Mendoj se duhet t’ia lëmë kohës. Mesa kam dijeni, qeveria ka thënë se borxhet do të falen. Në projektligjin e miratuar më 2020 janë të qarta të drejtat për personat që shprehin interes, duhet të shihen edhe ata që kanë qenë për t’i favorizuar. Bashkëpunim me të tjerë? Jam i gatshëm të bashkëpunoj me këdo që nuk e përdor klubin për interesa politike. Pazare politike? I trembem kësaj gjëje në kohë fushate, e shoh me ngut vendimin e Këshillit Bashkiak. Duhet pritur të dalë projektligji i privatizimit nga qeveria. Mendoj që te Vllaznia nuk duhet të përzihet politika. Nëse ka raste të tilla do t’i bëj publike.
Unë kam dhënë diku te 600-800 mijë euro. Me ish-presidentët jemi shokë. Kam biseduar me ta dhe kanë investuar. Dikur kemi qenë 12 veta dhe bashkëpunimi mund të jetë sërish me shumë persona. E kam drejtuar për 8 vjet Vllazninë, pesë vjet vetëm dhe 3 vite si zëvendëspresident. Sot kemi një Vllazni që ka emrin të tillë, me vetëm 3 lojtarë shkodranë. Akademia ekziston vetëm për të mbledhur fonde, ato që paguajnë prindërit janë shtuar. Duhet bashkëpunim me të gjitha klubet zinxhir të Shkodrës. Shpresa e 1200 fëmijëve duket se është shuar për të luajtur me ekipin A. Jam gati të marr 70 për qind të aksioneve.
Me përvojën që kam, mendoj se Bashkia gaboi që i nxori të gjitha aksionet në shitje. Duhej të kishte nxjerrë vetëm 25% të saj. Unë kam shumë për t’i dhënë këtij klubi dhe besoj se brenda një viti jo më shumë, mund ta rikthej Vllazninë aty ku ka qenë”, përfundon Fushaj.
Vllaznia është nga ato klube në vendin tonë që janë 100% pronë e bashkisë së qytetit. Prej pak kohësh është afruar sponsori Alban Xhaferi, sigurisht i interesuar për privatizimin e klubit, ndërsa më parë kanë kontribuuar si presidentë i ndjeri Myftar Çela dhe më pas Agron Çela dhe Valter Fushaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




