Antonio Conte rigjen Interin e tij me një sukses në momentin më delikat e vendimtar. Transferta e Sassuolos, kundër një prej skuadrave më në formë, të paparashikueshme e më mirë të organizuara të kampionatit italian, kishte vështirësinë që vinte pas rrëzimit në Champions kundër Real. E përgjigja për teknikun ishte ajo më pozitivja: në rezultat (tre gola të bërë e zero të pësuar) e në lojë, me një kompaktësi e një soliditet më të madh se kundërshtari: “Ne përpiqemi të japim më të mirën, ndonjëherë gjërat shkojnë mirë, të tjera jo, por gjithnjë luajmë për të dhënë 100%. E rëndësishme është të dalim me fanellën e djersitur”, deklaroi Conte në fund të takimit.
Tjetër ndalesë për Juventusin e Andrea Pirlos, i cili pa Cristiano Ronaldon e lënë pushim, vazhdon të vuajë, edhe pse ka në fushë Alvaro Moratën i cili po kalon ndoshta periudhën më të mirë të karrierës, duke shënuar shpesh. Juventusi nuk arrin dot të thyejë murin Benevento dhe në “Vigorito” nuk shkon më shumë se një barazim 1-1 ndaj skuadrës së Filippo Inzaghit, që gjeti barazimin në fund të pjesës së parë me Letizia, pasi bardhezinjtë kishin kaluar në avantazh me Morata. Në pjesën e dytë, dy herë Morata iu afrua golit, ashtu si Improta për vendasit. Në fund, sfida u mbyll 1-1 dhe Juventusi e pa veten përsëri larg vendit të parë, me më shumë barazime se fitore në një sezon që nuk ka nisur ashtu siç shpresohej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.