Anëtarësia e Lëvizjes Socialiste për Integrim voton këtë të shtunë për të zgjedhur anëtarët e Konventës Kombëtare dhe kryetarin e partisë.
Për shkak të pandemisë, votimi po zhvillohet edhe online dhe do të zgjasë deri në orën 16:00. Procesi i zgjedhjes së anëtarët të Konventës dhe kryetarit do të pasohet më 5 dhjetor me zgjedhjen e Kryesisë së re të partisë.
Për kryetar, emri i vetëm që kandidon është Monika Kryemadhi. Në fletën e votimit, anëtarësia duhet të shenjojë me po ose jo konfirmimin e saj në krye të LSI-së.
Pasi votimit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se procesi i brendshëm i LSI-së duhet të merret si shembull se si duhet të zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri.
“Të realizosh zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të thotë gjë tjetër veçse të duash vendin tonë”, tha ajo.
Kryemadhi u shpreh se priste të rikonfirmohej në krye të partisë, ndërsa vlerësoi edhe kandidaturat që janë për strukturat drejtuese të LSI-së, që sipas saj, do ta drejtojnë në misionin drejt 25 prillit për “t’u dhënë shqiptarëve mundësi, punësim, arsim cilësor dhe rritje të standardit të jetesës”.

Krahas votimit përmes aplikacioni, votohet edhe fizikisht në qëndrat e hapura që mundësojnë ruajtjen e distancës, shmangien e grumbullimeve dhe protokollet e tjera kundër përhapjes së Covid-19.
Të drejtë vote kanë të gjithë qytetarët që janë pjesë e kësaj force politike dhe janë regjistruar me kartë anëtarësie, pasi të jenë regjistruar në platformën e posaçme online të ngritur për këtë proces.
Përmes aplikacionit “Join LSI” mund të votojnë edhe qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




