Carlos Tevez, autor i një goli në fitoren e Boca kundër Newell’s, ka siguruar se suksesi me ekipin e ndihmon të përballojë një situatë delikate familjare. I ati i Tevez është në terapi intensive prej ndonjë jave, pasi ka kaluar koronavirus (e kishte në gusht e kishte nevojë për asistencë respiratore) e ka edhe diabet: “Kjo periudhë është shumë e vështirë për mua. Përjetoj emocione të ndryshme. Ka raste që ndihem mirë dhe herë të tjera nis e qaj në dhomat e zhveshjes. Nuk arrij ta shpjegoj se pse ndodh kjo gjë. Shumë e dinë që nuk po kaloj momente të mira në familje, por futbolli po më kthen gëzimin”, ka thënë Apache në fund të ndeshjes, duke theksuar besimin që Miguel Ángel Russo i ka dhënë që kur ka mbërritur në klub.

‘’Nuk është e lehtë të flasësh në TV. Askush nuk e di se çfarë momenti po kaloj në familje, që nuk ka të bëjë me momentin kur zbres në fushë. Është gjëja e vetme që më bën të lumtur në këtë moment. Im atë nuk është mirë. Futbolli më ka dhënë pak kohë për të harruar gjërat e shëmtuara. I jam shumë mirënjohës. Po kaloj një moment të keq, nuk kam ndërmend të gënjej”, ka shpjeguar ai për Footsteps.
Ndërkohë, tifozët e Boca Juniors shpalosën një pankarta mbështetëse për Tevez në sfidën e fundit shtëpiake kundër Talleres Cordoba, aty ku shkruhej: “Kurajo dhe forcë Carlitos, të kemi gjithmonë në zemër“.
“Jam lodhur shumë, shkoj të takoj babanë në spital dhe më pas duhet të gjej forcë për të zbritur në fushë me Boca-n time. Pankarta e tifozëve? Më dha një forcë të madhe, i falënderoj shumë. Mora zemër dhe zbrita i karikuar në fushë“.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




