Treg

Rriten eksportet me Kosovën dhe Gjermaninë, ulen me Italinë

Tetori siç ishte paralajmëruar prej shumë bizneseve eksportuese, kryesisht prej atyre fason ka qenë me rënie për sektorin.

Eksportet në tetor, po ashtu edhe si dhjetëmujor kanë rënë më shumë me Italinë, ku eskportuesit fasonë kanë patur partnerët.

Por eksportet janë rritur më shumë me Gjermaninë dhe Kosovën.

Të dhënat e raportuara nga INSTAT tregojnë në muajin tetor 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetor 2019 janë: Kosova (9,7 %),Gjermania (63,0 %), dhe Greqia (22,4 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-0,6 %), Spanja (-62,5 %), dhe Kina (-11,1 %).

Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (14,3 %), Maqedonia e Veriut (0,6 %), dhe Serbia (43,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-16,6 %), Kosova (-17,5 %) dhe Spanja (-24,1 %). Në muajin Tetor 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Tetor 2019 janë: Italia (9,0 %), Greqia (17,6 %) dhe Gjermania (24,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Turqia (-16,2 %), Serbia (-3,2 %) dhe Zvicra (-35,1 %).

Të dhënat tregojnë se në Tetor 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me 0,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 6,0 %, në krahasim me Shtator 2020.

Në dhjetëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 221 mld lekë, duke u ulur me 12,2 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 488 mld lekë, duke u ulur me 9,7 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 267mld lekë, duke u ulur me 7,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

Rënia vjetore e eksporteve prej 0,9 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Tekstile dhe këpucë”, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre”. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Ushqim, pije, duhan”, “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Makineri, paisje, pjesë këmbimi”.

Eksportet, gjatë këtij dhjetëmujori janë ulur me -12,2 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale”. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë