Për herë të tretë Nevil Dede do të drejtojë Tiranën, ekipin me të cilin ka fituar gjithçka si futbollist. Ish-kapiteni bardheblu ishte kandidati kryesor për të zënë vendin e Emanuel Egbo, i shkarkuar të enjten nga drejtuesit e klubit, pas eliminimit të Tiranës në Kupën e Shqipërisë nga Korabi. Së fundi Dede ka drejtuar Kombëtaren U-19 të Shqipërisë dhe është shkëputur prej saj për të marrë drejtimin e Tiranës, ku ka bërë karrierë si futbollit.

Por emërimi i Dedes në stolin bardheblur ka lënë një boshllëk te Kombëtarja U-19. Sipas asaj që raportohet Emanuel Egbo është një kandidat për të marrë drejtimin e 19-vjeçarëve. Nga ana tjetër, veç Egbosë në garë për të marrë drejtimin e skuadrës U-19 janë edhe emra të tjerë, ku favoriti kryesor është Orges Shehi.

Shkarkimi i trajnerit Egbo, i cili e shpalli Tiranën kampione sezonin e fundit, u pasua me shumë kritika nga tifozët bardheblu dhe opinioni sportiv karshi drejtuesve të klubit. Pjesa më e madhe e tyre kanë bindjen se gjithçka ka qenë e parapërgatitur dhe se eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ishte vetëm preteksi për largimin e nigerianit dhe ardhjen e Dedes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




