Futboll

Shndërrimi i Hysajt: Nga i padëshiruar, në titullar të padiskutueshëm

Një engjëll me fytyrë djalli është simboli i një ekipi që po mëson të jetë punëtor, si dhe i aftë të shfaqë lojë cilësore. Dhe fytyra simbolike është ajo e Elseid Hysaj, mbrojtësit shqiptar 26-vjeçar me pothuajse 200 ndeshje të zhvilluara në Serie A.

Ushtar i Sarrit par excellence, në verën e vitit 2018 rrezikoi të përfundonte me mësuesin e tij te Chelsea, por De Laurentiis pasi la Jorginho-n të largohej, i tha jo rrezikut të një hemorragjie në ekip. Carlo Ancelotti nuk e preferonte Elseid-in dhe mbrojtësi përfundoi në pankinë, në harresë. Pastaj me ardhjen e Gattusos gjithçka ndryshoi brenda disa muajsh. Hysaj këtë sezon i është kthyer titullar, megjithëse në krahun e majtë.

Dhe kështu ndodhi që të shtunën e kaluar, duke kuptuar se edhe njëherë Elseid ishte i zgjedhuri për krahun e majtë për ndeshjen ndaj Bolonjës, Mario Rui dhe Ghoulam i kërkuan Gattuso-s  llogari dhe shpjegime, duke pretenduar të dy pronësinë e krahut. Përtej mënyrës se si tekniku kalabrez i refuzoi ata, mbetet imazhi i dy lojtarëve në tribunën e Dall’Ara, të ndëshkuar nga trajneri, i cili nuk bën përjashtime por favorizon ata që stërviten gjithmonë njëqind për qind, për të dhënë më të mirën e tyre. Dhe Hysaj është pikërisht ky lloj lojtari. Ndoshta jo me këmbë të shkëlqyera, por me një mushkëri të tretë rezervë që i lejon gjithmonë një vrapim më shumë se çdo kundërshtar në krah.

Gjithashtu trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, mund të marrë frymë lirisht, pasi ai ishte në gjendje ta kthente atë përsëri në ekipin kombëtar (në tetor ishte në izolim me Napolin) për të provuar kualifikimin në ndeshjet e fundit të grupit të Nations League. Për Shqipërinë është një pikë e rëndësishme referimi, sepse vetëm 26 vjeç, Hysaj numëron mbi 50 paraqitje me përfaqësuesen me të cilin debutoi në moshën 19 vjeçare. Agjenti i tij, Giuffredi po negocion rinovimin me Napolin, diskutim i ndërprerë për shkak të situatës që ishte krijuar në menaxhimin e Ancelotti-t. Por rinovimi i Gattuso-s deri në 2023, sugjeron që edhe për Hysaj-n e ardhmja do të jetë te Napoli, edhe pse marrëveshja i skadon në 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë