Ndeshja e Champions league e 19 shkurtit mes Atalantës e Valencias, e luajtur në stadiumin e San Siros në Milano, ka qenë një bombë e vërtetë për shpërndarjen e koronavirusit në provincën e Bergamos, ndër zonat më të goditura në botë. E ka konfirmuar një pyetësor i realizuar nga agjencia e menaxhimit të të dhënave Intwig: më shumë se 1/5 e tifozëve që ishin prezentë në shkallët e San Siros patën simptoma të Covid-19.
“Ishte stuhia perfekte, një ngjarje e tillë është vështirë të përsëritet – shpjegon Aldo Cristadoro, themeluesi e administratori i deleguar i Intwig -: 36mijë persona që lëvizin të gjithë së bashku në të njëjtin vend për të ndjekur të njëjtën ngjarje”. Të shumtë ishin, në fakt, tifozët bergamaskë që, për shkak të problemeve të homologimit të stadiumit Atleti Azzurri d’Italia, u drejtuan për në Milanon fqinje për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës në ‘ëndrrën Champions’.
Nuk ishte në fakt vetëm ndeshja: problemi ishin udhëtimi nga Bergamo në Milano me makinë me miqtë ose në autobus të organizuar – “100-120 ata që u nisën” – kujton Cristadoro – grumbullimet para ndeshjes, spostimet me metro e paradoksalisht edhe festimet pas golave të shumtë në fitoren zikaltër (4-1 për Atalantën). Hapësirat e ngushta, tifozët e shumtë që flisnin me zë të lartë e këndonin në kor ishin, si u zbulua më pas, terreni ideal për shpërndarjen e Sars-Cov2.
Studimi i Intwig shkon më tej dhe analizon pikat e shitjes së biletave nga të cilat doli se shumica e tifozëve ishin përqendruar në zonën urbane të Bergamos dhe në rrethinat: 1,200 tifozë erdhën për shembull nga Nembro dhe Alzano , dy nga vendet më të prekura nga virusi, ndërsa atë 19 shkurt në stadiumin San Siro kishte relativisht më pak tifozë nga pjesa jugore e provincës. Studimi kontribuon për të sugjeruar që ndeshja Atalanta-Valencia nuk ishte shkas, por sigurisht një përshpejtues i epidemisë në ato zona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




