Futboll

Tuchel kundër të gjithëve: Allegri-Motta-Pochettino në garë për ta zëvendësuar

Revolucioni është shumë pranë tek Paris Saint-Germain. Humbja e pësuar në Champions League në fushën e Leipzig, e katërta nga nisja e sezonit, nuk ishte fatale për pankinën e Thomas Tuchel, por e ka reduktuar në minimum “marzhin e gabimit” brenda fundit të vitit. E ka bërë të ditur L’Equipe, sipas të cilit tekniku gjerman, kontrata e të cilit skadon në qershor, është pranë lamtumirës. E përditshmja franceze ka edhe emrat e zëvendësuesve të mundshëm, që në fakt janë tre: Massimiliano Allegri, Thiago Motta e Mauricio Pochettino.

Humbja e dytë në Champions ka krijuar tashmë tensione edhe në dhomat e zhveshjes. Kapiteni Marquinhos lëvizi me diplomaci. Përpara telekamerave tha se vihet në dispozicion të skuadrës, por shumë më elokuente ishte mënyra e daljes nga fusha, duke i ikur Tuchel që donte t’i fliste. Danilo nuk e pati problem ndërkohë të fliste hapur për Telefoot: “Unë jam mesfushor e kam vetëm nocionet bazike të mbrojtjes”. E përkthyer: faji nuk është i imi, por i Tuchel që prej javësh është në luftë edhe me gazetarët: “Në Paris nuk jeni kurrë të kënaqur e nuk e kuptoj përse flisni vetëm për të ardhmen time”.

Promotori i “mocionit të mosbesimit” është Leonardo, drejtori teknik i Psg, që kërkon t’ia besojë pankinën ish-teknikut të Juventus. Në Katar nuk janë shumë të bindur në fakt e duket se Nasser Al-Khelaifi kërkon ti japë edhe pak kohë Tuchel. Tekniku gjerman ishte ai që shkoi më pranë triumfit të ëndërruar në Champions League e mbi të gjitha kostot e një zgjidhje të mundshme të kontratës (rreth 10 milionë) janë shumë në një moment të vështirë nga ana financiare. Që kur ka mbërritur në kryer të Psg, Al-Khelaifi ka shkarkuar vetëm një trajner me sezonin në vazhdim: Koumbaré në edicionin 2011-12.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë