Asnjë pendim për André Schürrle, ish-mesfushor sulmues gjerman, me një të kaluar të lavdishme edhe me fanellën e kombëtares kampione të botës. I tërhequr nga futbolli pa mbushur akoma 30 vjeç, ish-futbollisti nuk është i penduar për zgjedhjen e bërë dhe ka pranuar se nuk do më të dëgjojë të flitet për stërvitje, përgatitje fizike dhe ndeshje.

“Nëse mund të kthehem përsëri në futboll? Jo në fushë. Nuk dua të luaj as me shokët. Edhe nëse një klub i madh do të më propozonte diçka, asgjë nuk do të ndryshonte. Jam shumë i lumtur që nuk më duhet më të stërvitem ose të përgatitem”, ka thënë Schürrle për Bild. “Tani mund të mendoj për t’i falur të gjithë gazetarët për të gjithë kritikat që kam marrë në karrierë. Falë një trajneri psikologjik tani është e mundur, më parë jo. Mendoj se ka nisur një jetë e re për mua”.

Schürrle foli edhe për Mourinho -n, duke shpjeguar se marrëdhënia e tij me trajnerin portugez ishte shumë e komplikuar. “Ai është një tip brutal. Dhe vazhdoja të pyesja veten: ‘Çfarë po bën? Pse më trajton kështu? Pse sillet kështu me njerëzit? Në atë kohë, nuk mund të bëja atë që ai më kërkonte për shkak të metodave të tij të nxituara dhe presionit psikologjik. Në atë moment ishte e komplikuar, unë shpesh vija në shtëpi pasi flisja me të dhe mendoja se nuk mund të vazhdoja kështu. Çfarë mund të bëja? Presioni që i krijuar nga ai ishte ekstrem. Gjatë seancave stërvitore mendoja se ai po më shikonte vetëm mua, edhe pse në fund ndoshta nuk ishte ashtu ”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




