Treg

BE kërkon “Shengenin Ballkanik” për të zgjatur lehtësitë e tregtisë me të

Bashkimi Europian kushtëzon zgjatjen e mekanizmit të lehtësimit për importet e produkteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me kërkesën që vendet e rajonit të avancojnë në atë që njihet si “Shengeni Ballkanink”.

Gazeta “Si” mëson se Komiteti i Tregtisë në Parlamentin Europian ka përgatitur draftin me rekomandime për të ndryshuar rregulloren e miratuar që në 2009 në kuadër të marrëveshjeve të stabilizim-asociimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rregullorja në fuqi përfundon më 31 dhjetor të këtij viti. Drafti propozon shtyrjen deri më 31 dhjetor të vitit 2025 të lehtësive me të cilat produktet e e vendeve të Ballkanit Perëndimor përfitojnë në rastet e eksportit në një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Por, aty kërkohet në formë urdhërore që krahas reformave ekonomike përkatëse, vendet e Ballkanit Perëndimor të vendosin zona të tregtisë së lirë mes tyre.

“Parashikimet e këtij artikulli janë subjekt i gatishmërisë së vendeve përfituese për t’u angazhuar në reforma ekonomike efektive dhe bashkëpunimin rajonal me vendet e tjera të përfshira në procesin e Stabilizim-Asociimit, sidomos përmes vendosjes së një zone tregtie të lirë në përputhje me parashikimet e Organizatës Botërore të Tregtisë”, thuhet në propozim.

Lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve është një prej shtyllave të propozimit për të ashtuquajturin “mini Shengen”. Por, nisma e Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka hasur në rezistencë.

Kosova ka refuzuar deri më tani pjesëmarrjen në këtë nismë, duke deklaruar se nga ajo përfiton vetëm Serbia. Mali i Zi e ka refuzuar kategorikisht, ndërsa Bosnja është skeptike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë