Një botim i Bankës së Shqipërisë tregon se tregu i shtëpive dhe ecuria e çmimit të tyre ka ndikim në qëndrueshmërinë e biznesit të bankave.
Por ky konkluzion nuk vlen njësoj si për vendet e BE-së apo ato vende të Europës Qnedrore e Juglindore që janë në BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Rezultatet e studimit tregojnë që ekspozimi i bankave ndaj tregut të shtëpive ka një ndikim të rëndësishëm pozitiv në stabilitetin e bankave në të dy grupet e vendeve. Për më tepër, për bankat e ekspozuara në tregun e shtëpive në vendet e Europës Qendrore e Juglindore anëtare të BE-së, është gjetur se dinamika e çmimeve të shtëpive lidhet pozitivisht me stabilitetin e bankës. Argumenti bazohet në faktin se bankat e ekspozuara në tregun e shtëpive në këto vende kanë ekspertizë më të mirë ndaj këtij tregu dhe veprojnë në një mjedis institucional përgjithësisht më të konsoliduar. Në të njëjtën kohë, është gjetur një lidhje negative midis dinamikës së çmimeve të shtëpive dhe stabilitetit të bankave për bankat e ekspozuara ndaj tregut të shtëpive në vendet e Ballkanit Perëndimor, rezultat i cili pasqyron nivelin më të ulët të zhvillimit institucional të vendeve në këtë rajon.
Stdumi ka gjetur nxitje nga kriza financiare globale 2008-2009 e cila nxori në pah efektin shkatërrues që ka kolapsi i tregut të shtëpive mbi ekonominë reale dhe mbi stabilitetin e bankave. Prandaj, janë me rëndësi për autorët e studimit, marrëdhëniet midis financimit të blerjes së shtëpive nga bankat, dinamikës së tregut të shtëpive dhe rrezikut bankar.
Rreziku bankar nga ana tjetër, citon studimi. është i lidhur ngushtë me tregun e shtëpive, jo vetëm sepse shtëpitë përdoren kryesisht si kolateral, por edhe sepse financimi i shtëpive varet nga produktet bankare. Prandaj, zhvillimet në tregun e pasurive të patundshme mund të ndikojnë në mënyrë të rëndësishme performancën dhe rrezikun e bankës.
Për grupin e vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore pjesë të BE-së, stduimi gjen se ekspozimi i bankave ndaj tregut të shtëpive dhe dinamika e çmimeve të tyre rrit stabilitetin e bankës. Ky rezultat lidhet edhe me faktin që këto banka janë më të specializuara ndaj tregut të shtëpive. Një tjetër element që ndikon në këtë rezultat, mund të lidhet edhe me cilësinë dhe vlefshmërinë e të dhënave në këto vende, duke bërë që këto vende të kenë një vlerësim më të mirë të vlerës së shtëpisë. Për më tepër, në vendet anëtare të BE-së të vendosura në EQLJL, mbas krizës së fundit financiare globale ka pasur një rritje të kërkesave rregullative, të cilat kanë forcuar stabilitetin financiar të bankave. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, zbulohet në studim që vetëm bankat e ekspozuara ndaj tregut të shtëpive ndikohen negativisht nga dinamika e çmimeve të tyre, ndërsa bankat e tjera jo. Ky rezultat argumentohet se lidhet me mangësitë institucionale që kanë tregjet relativisht të reja, si të shtëpive ashtu edhe sektori bankar në këtë pjesë të Europës. Në përgjithësi, gjetjet tregojnë për rëndësinë e përmirësimit të strukturës institucionale të vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore, të cilat mund të kenë një ndikim negativ edhe në segmente të tjera, kryesisht në sektorin bankar.
Studimi sugjeron rëndësinë e ndërmarrjes së masave për të përmirësuar funksionimin e tregut të shtëpive dhe ndikimin që ai ka në sektorin bankar për tiu bërë ballë krizave. Për më tepër, për të zvogëluar rrezikun e bankës ndaj ekspozimit të tregut të shtëpive, autoritetet e vendeve duhet të marrin parasysh rëndësinë që ka financimi i shtëpive për sektorin bankar kur hartojnë dhe përcaktojnë kornizën e tyre të masave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



