Futboll

Pritjes i erdhi fundi, rikthehet futbolli në Shqipëri

Aktiviteti futbollistik do të rikthehet sot, pas një pritje për më shumë se një muaj e gjysmë. Kupa e Shqipërisë do të nisë rrugëtimin e saj me një ndryshim në format. Bojkoti i futbollit ndikoi në mënyrë të drejtë për drejtë edhe te ky kompeticion. Nga vonesa e krijuar dhe për shkak të ngjeshjes së kalendarit, të gjitha ndeshjet e këtij edicioni të Kupës do të zhvillohen me sfida teke, duke evituar skemën me sistem vajtje-ardhme, ndërkohë që si pritës ndeshjet e dy tureve të para do të jenë ekipet e renditura më lart në sezonin e fundit. Pas fazës së 1/16 dhe 1/8 çiftet do të përcaktohen me short të lirë.

Çiftet e turit të parë janë ndarë në dy grupe. Skema e re e Kupës favorizon në mënyrë të dukshme skuadrat më të mëdha. Në turin e 1/16-ve, skuadrat e Kategorisë Superiore përballen me kundërshtarë nga nivelet më të ulëta, ndërsa në turin pasardhës, nga 8 ndeshje të planifikuara, vetëm në dy raste rrezikohen sfida elitare. Në fazën e 1/8-ve, Teuta do të sfidonte Kastriotin, nëse do të kualifikohen në Grupin A, ndërsa në Grupin B projektohet sfida ndërmjet Partizanit dhe Apolonisë. Ndeshjet e turit të dytë në Kupën e Shqipërisë do të luhen më datë 12 nëntor.

Në të tilla rrethana, FSHF ka katër data të lira, për të kompensuar katër nga tetë nga javë të Superiores që nuk janë zhvilluar. Katër javët e tjera do të zëvendësohen në datat e lira, që do të përcaktohen në varësi të situatës, por nuk përjashtohet as mundësia që Superiorja të zhvillojë aktivitetin e saj dhe gjatë grumbullimeve të Kombëtareve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë