Futboll

Rritja e numrit të lojtarëve të huaj në fushë, FSHF pranon kërkesën e klubeve

Sezoni i ri është në prag, por rregullat e lojës mund të ndryshojnë sërish përpara startit të kampionatit. Federata Shqiptare e Futbollit në mbledhjen e fundit të Ligës Profesioniste ka përcaktuar disa ndryshime në krahasim me sezonin e kaluar, por më kryesorja mbetet në lidhje me numrin e të huajve në Superiore.

Klubet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë dhe të Kategorisë së Dytë mund të aktivizojnë gjatë një ndeshjeje deri në pesë lojtarë të huaj për sezonin 2020- 2021, që nis zyrtarisht këtë të diel me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë. Presidentët e klubeve të Superiores, duke argumentuar situatën aktuale prej pandemisë dhe ngjeshjen e kalendarit në kampionatin aktual, kanë kërkuar që të paktën për këtë sezon të lejohet që ekipet të mund të aktivizojnë pesë të huaj njëkohësisht brenda një ndeshjeje. Duke shtuar këtu edhe faktin që lojtarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk cilësohen të huaj, tashmë mundësitë e klubeve dhe natyrisht të trajnerëve nuk do të jenë të limituara.

Një lajm aspak i mirë për futbollistët vendas, e aq më pak për të rinjtë që kërkojnë minutat e tyre, duke qenë se nga jashtë vijnë gjithnjë e më tepër alternativa, që në disa raste janë edhe ekonomike për klubet. Nuk është rastësi % e ulët e lojtarëve nën 21 vjecarë që luajë në Superiore. Edhe në të kaluarën ka pasur klube që kanë kërkuar që numri i të huajve që mund të luajnë në një ndeshje të rritet, por në Komitetin Ekzekutiv kanë qenë kategorikë dhe nuk e kanë pranuar një kërkesë të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë