Futboll

Pirlo: E rëndësishme ta nisnim me këmbën e mbarë

Juventusi ka fituar 0-2 në transfertën e Kievit, duke i bërë një nisje të mbarë aventurës europiane për këtë sezon. Alvaro Morata shënoi të dy golat në fushën e Dinamos së Kievos, në pjesën e dytë. Spanjolli zhbllokoi shifrat, duke dërguar në rrjetë një top të grushtuar nga portieri ukrainas, pas gjuajtjes së Kulusevskit. Në rastin e golit të dytë ai u shkëput bukur dhe devijoi saktë me kokë një kros nga e djathta.

“Ngadalë po gjejmë ekuilibrin. Ishte e rëndësishme të gjenim fitoren, shpërdoruam ndonjë rast në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ishim më të kthjellët para portës”, i qetë si gjithnjë Andrea Pirlo në shpjegimin e fitores së Juventus në debutimin në Champions League kundër Dinamo Kiev 0-2. U munduam të vendosnim Chiellinin në qendër të mbrojtjes për të qenë më fluidë në daljen me top, por pati një problem muskular që e kishte me vete prej kohësh. Në idetë e mia për futbollin duhet të jenë dy anësorë që sulmojnë thellësinë, të mos harrojmë se kemi Ronaldon jashtë e Dybala jo në formën më të mirë e ndoshta do të ndryshojmë sjellje në të ardhmen, shtoi tekniku bardhezi për Sky Sport.

Në lidhje me debutimin europian të Chiesa, Pirlo shpjegoi: “Eshtë një lojtar i përshtatshëm për atë që kemi në mendje: mbulon një rol si mesfushor i katërt, duam të jetë ofensiv sa më shumë të jetë e mundur. Dybala ka nevojë të luajë, me kalimin e ndeshjeve do të gjejë formën më të mirë fizike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë