Liga Profesioniste ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës në “Air Albania Stadium” dhe ka vendosur që bojkoti të vazhdojë. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku, shefi i sektorit të garave Marjus Sulejmani dhe përfaqësues të klubeve të Superiores.
Pas takimit, presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, theksoi se bojkoti do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave nga qeveria. “Pas diskutimeve në mbledhje u vendos që të vazhdojmë bojkotin derisa të zgjidhen kërkesat. Nëse nesër do jetë tym i bardhë nga takimi në ministri, qëndrimi do ndryshojë. Ne ndryshojmë mendim dhe vendim vetëm nëse na plotësohen kërkesat.
Vetëm kanë filluar bisedimet, nuk kemi marrë asnjë vendim. Nesër kemi takim dhe presim të kemi një propozim për të zgjidhur këtë çështje. 10 klube duan që të mos fillojë dhe asnjë nuk do të fillojë pa u plotësuar kërkesat.
Pika e dytë ishte se duke parë mënyrën se si është trajtuar emisioni sportiv në RTSH, që nuk është koherent dhe mbështetës për futbollin, Liga vendosi që të mos përsërisë me ta kontratën e bashkëpunimit për ‘highlights’ për sezonin që do të vijë. Këto ishin dy vendimet e marra sot“, – theksoi Libohova.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




