Futboll

Champions, fenomeni Moukoko: Do të bëhet debutuesi më i ri

Synohet rekordi. Që në debutim. Borussia Dortmund, në vitet e fundit, ka treguar se beson shumë tek Youssoufa Moukoko. Në realitet janë të  shumtë ata që besojnë tek sulmuesi 15 vjeçar (lindur në nëntor 2004) . Nike, për shembull, i ka nënshkruar  një kontratë 10 vjeçare që do ti garantojë 10 milionë euro. Në Bundesligë, për të, madje  kanë modifikuar edhe rregulloren, duke ulur moshën minimale të debutimit. Tani klubi ka bërë të ditur se do ta përfshijë në listën B (e rezervuar  për lojtarët e lindur nga 1 janari 1998 e lart) të Champions League, e Moukoko mund të bëhet lojtari më i ri i të gjithë kohërave në kompeticionin europian.

Michael Zorc, drejtori sportiv i Borussia Dortmund, ka zbuluar se në nëntor, kur Moukoko do të mbushë 16 vjeç, do të përfshihet në listën Champions (më parë është e pamundur). Nga 20 nëntori i ardhshëm mund të debutojë: në këtë pikë Dortmund do të ketë përpara ndeshjet në shtëpi me Bruges (24 nëntor) e Lazio (2 dhjetor) e ajo jashtë me Zenit (8 dhjetor). Nëse do të zbresë në fushë në një nga tre ndeshjet, Moukoko do të bëhet më i riu i të gjithë kohërave në historinë e Champions, duke thyer rekordin e Celestine Babayaro, që e zbriti në fushë me Anderlecht në 23 nëntor 1994 kundër Steaua Bucarest, kur nigeriani ishte 16 vjeç e 87 ditë.

Moukoko, është mësuar të koleksionojë rekorde pas rekordi. Me të rinjtë e Dortmund, edhe pse ka luajtur nën moshë, ka shënuar 136 gola në 86 ndeshje. Këtyre mund ti shtohen rreth 50 gola me të vegjëlit në vitin e parë tek Borussia. Prej rreth 6 muajsh Youssoufa po stërvitet me skuadrën e parë të Favre, që jo rastësisht nuk bleu një rezervë të Haaland. Sinjal i qartë se Dortmund e projekton të ardhmen rreth Moukoko. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë