Drejtori i Lacios, Igli Tare i ftuar në emisionin Wake Up në Top Channel, ka folur rreth punës dhe vështirësive te Lazio, ofertës së Milanit dhe rinovimit të kombëtares shqiptare. Ndër të tjera, Tare e ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në futbollin shqiptar.

Çmimi “Luani i Artë”- “Është kënaqësi kur puna vlerësohet, e rëndësishme është të kemi vazhdimësi. Por, tashmë kërkesat janë gjithnjë më të larta. Të them të drejtën nuk e prisja, pasi është një vlerësim I madh. Ishte diçka që më mbushi me gëzim, kur e kthej kokën mbrapa më kujtojnë momentet e vështira, sakrificat dhe në fund mendon se ia vlen.
Është viti i parë që fitohet nga një personazh i botës së sportit. Është stimul që të jem në rrugën e duhur. Pritshmëritë janë shumë të mëdha. Është motivuese dhe duhet të kënaqesh pritshmëritë e tifozëve duke parë edhe mundësitë që ne kemi”.

Lacio- “Sezonin e kaluar para pandemisë ishim kandidatë kryesorë për të fituar titullin. Po kalojmë një periudhë tranzitore, jo vetëm ne por gjithë futbolli europian. Mundohemi të jemi të kujdesshëm, në mënyrën e organizimit. Kontaktet me botën e jashtme mundohemi t’i kemi sa më të kufizuara, është një situatë jo e lehtë. Këtë sezon Lacio është rikthyer në Champions, do jetë e vështirë.
Ana financiare është e rëndësishme, por bota e futbollit është e lidhur shumë me emocionet. Kemi bërë një merkato, është një ritual që përsëritet me tifozët tanë që janë të pakënaqur sepse nuk e kuptojnë rëndësinë e bërjes së gjërave. Duhen gjetur lojtarët me karakteristika dhe mentalitetin e duhur, por edhe me anën financiare të duhur”.

Oferta e Milanit- “Fëmijëria ime është e lidhur me Milanin e holandezëve dhe Sacchi-t. Kam qenë tifoz në moshë të re, ndeshjen e parë të Serisë A e kam zhvilluar kundër Milanit. Oferta e Milanit ka qenë para dy sezoneve nga ana e Maldinit, por lidhja ime me Lacion shkon përtej futbollit, sepse kam shumë vite aty. Është një lidhje që lindi në mënyrë të papritur, si dashuria që sa vjen dhe shtohet. E kisha të vështirë të refuzoja Milanin”.
Futbolli shqiptar- “Ndjek çdo gjë në lidhje me futbollin shqiptar, edhe Kosovën edhe Maqedoninë. Kam pasur disa oferta për të punuar në futbollin shqiptar. Për mua është krenari të kontribuoj për të mirën e futbollit shqiptar. Jo vetëm unë, por ka edhe shumë të tjerë që punojnë dhe nuk marrin vëmendjen e duhur. Unë i ndjek dhe kam kontakte që mund të japin kontribut. Fëmijërinë time e kam të lidhur me Partizanin, është klubi i jetës se çdo gjë e kishim të lidhur me atë. Por, edhe me Flamurtarin që kam qenë tifoz në kohën e Flamurtarit të artë”.

Bojkoti- “Më pëlqen të rri jashtë kësaj bisede, është momenti i duhur që politika duhet të japë. Bojkoti nuk është rruga e duhur, sepse shumë mirë mund të gjenin edhe një marrëveshje me qeverinë për të mirën e sportit. Edhe në Europë klubet janë paraqitur mirë dhe sa më shumë vonohen aq më keq. Duhet të vijnë pikat mbi “i” të dyja palët”.

Rinovimi i kombëtares– “Nuk më interesojnë njerëzit që flasin për diçka pas dhe asnjëherë para. Ndërrimi i gjeneratave është i vështirë, por i domosdoshëm. Unë e njoh mirë Rejën dhe ka një eksperiencë të madhe. Ata që luajtën me Kazakistanin do na përfaqësojnë në të ardhmen. Duhet të jenë të gjithë në një mendje. Topi është për të gjithë dhe futbolli është për pak njerëz, sepse nuk e njohin njësoj të gjithë dhe ka shumë vështirësi. Të gjithë duhet ta kuptojnë se është një fazë tranzicioni dhe duhet të jemi objektiv”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




